Manushaqe Vogli nga Kamza i është drejtuar emisionit “Stop”, për të denoncuar një faturim prej 5 milionë lekësh të vjetra për energjinë elektrike, që sipas saj i është faturuar gjatë pesë muajve. Qytetarja pretendon, se shuma është e pajustifikuar, pasi konsumi në banesën e saj, është shumë i vogël. Ajo tregon, se është ankuar te faturisti i zonës, pranë pikës së OSHEE-së në Kamëz, te shërbimi i Kujdesit ndaj Klientit dhe në drejtorinë qendrore, por nuk i është dhënë zgjidhje dhe i kanë kërkuar të shlyejë detyrimin.Gazetarja verifikon pajisjet elektrike në banesë, ku përdoren televizori, lavatriçja, frigoriferi, dushi dhe ndriçimi, ndërsa gatimi bëhet me gaz. Nga ana tjetër, faturisti shpjegon, se bëhet fjalë për një akumulim faturash, pasi matësi nuk është lexuar siç duhet. Manushaqe Vogli, tregon librezën e pagesave, që e ka të vulosur, duke provuar, se i ka shlyer detyrimet e mëparshme. Drejtori i Medias në OSHEE-në qendrore, Ardi Kola, premton, se do të interesohet për rastin. Por përgjigjja, që i përcillet emisionit, vijon të këmbëngulë, se kilovatët janë konsumuar.



