Ka nisur dita e 21 e protestës së studentëve, teksa të rinjtë vijojnë thirrjet për bojkotim të mësimit.
Një grup protestuesish është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Ata kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe bashkimin e studentëve me protestën që vijon prej 21 ditësh.
Më pas, protestuesit janë zhvendosur në Fakultetin e Drejtësisë, ku kanë vijuar thirrjet për mobilizim dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kanë bojkotuar procesin mësimor. Ata janë larguar nga auditorët dhe kanë nisur marshimin protestues, në shenjë kundërshtimi ndaj situatës së krijuar. I njëjti skenar ka ndodhur edhe në Fakultete te tjera si ai i Ekonomisë dhe Shkencave të Natyrës.
Gjatë marshimit, të rinjtë kanë brohoritur slogane si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Bashkohuni me ne”, “Erdhën studentët” dhe “Poshtë patronazhistët”.


