Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ftuar të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të bashkohen në protestën studentore, duke përsëritur dhe një herë thirrjen dhe qëllimin e tyre, e cila është dorëheqja e Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD pretendon se kryeministri ka si synim të shpërndajë protestën dhe hedh poshtë idenë e atyre që protestojnë me qëllim që të përmirësohet kryeministri Rama.
“Ftoj çdo qytetar të këtij vendi, të gjitha forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore, me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre më të mirën që ata mendojnë.
Sot dështoi përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata të cilët deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë ‘jago’ të revoltës studentore, studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë pre biletën Edi Ramës. Nuk besojnë se ai mund të përmirësohet.
Në këtë përpjekje pati dhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por të gjithë morën përgjigjen e merituar. Sot Edi Rama dështoi në mënyrë përfundimtare të përçajë protestën. Protesta studentore ka nevojë jetike, të madhe të mbështetet nga të gjithë ata se besojnë se Edi Rama duhet të largohet menjëherë.
Pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë njëri me tjetrin, rëndësi kapitale ka që shqiptarët të mund të votojnë të lirë”, tha Berisha.



