Një 47-vjeçar, shtetas gjerman, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të shtune në Malësinë e Madhe, pasi ka plagosur me thikë dy efektivë policie, gjatë neutralizimit të tij. Sipas raportimeve nga policia, 47-vjeçari dyshohet se gjatë ditës së sotme i ka hedhur benzinë automjetit të një 27-vjeçari, ku pas denoncimit të këtij të fundit, policia i është vënë në ndjekje.
Ndërkohë, pas ndalimit të automjetit, 47-vjeçari ka refuzuar të identifikohet dhe, pasi policia ka tentuar ta neutralizojë, ai ka plagosur me thikë dy efektivët, të cilët ndodhen në spital dhe po marrin ndihmën mjekësore.
Ndërsa shtetasi gjerman është arrestuar dhe është shoqëruar nga forcat e tjera të policisë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.



