Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë një interviste për media ka folur lidhur me dëmet e shkaktuara nga protestuesit në bizneset dhe ekonominë e tyre. Ibrahimaj theksoi se protesta ka shkaktuar probleme veçanërisht për bizneset e vogla që nuk kanë kapacitete financiare afatgjata për të përballuar pagat gjatë mbylljes.
Po ashtu, ajo evidentoi goditjen që kanë pësuar dhe sektori i turizmit. Ibrahimaj u shpreh se deri më tani janë 90 subjekte që kanë deklaruar dëme me vlera të ndryshme teksa theksoi se ata do të rimbursohen.
“Janë deri tani 90 subjekte të cilat kanë shprehur që kanë qenë të dëmtuara me vlera të ndryshme të dëmit të cilat do të janë dokumentuar nga bizneset dhe janë një grup prej 10 grupe nga administratat tatimore që po shkon të shikojë dëmin, të marrë evidencat për dëmin dhe sigurisht shumë shpejt qeveria shqiptare do të fillojë procesin. Pasi të ketë verifikuar vlerën e dëmit nëpërmjet faturave, qeveria shqiptare do të mbulojë dëmin e tyre.
Ne po punojmë për aktin i cili do të parashikojë të gjithë rimbursimin e këtij dëmi dhe patjetër që shumë shpejt. Pa diskutim. Pa diskutim që ka pasur një efekt në ekonominë shqiptare, sepse në radhë të parë ka pasur efekt tek të gjitha ato dyqane, të gjithë ato biznese të cilat janë të mbyllura. Kryesisht janë biznese të vogla të cilat nuk kanë kapacitet dhe mundësi për të paguar për një kohë të gjatë paga nëse qëndrojnë të mbyllura.
Ka pasur një efekt në të gjitha ato aktivitete që lidhen me konsumin e përditshëm, të gjitha aktivitete që lidhen me turizmin i cili siç e keni parë në vitet e fundit ka qenë në bum në Tiranë por dhe në qytete të tjera të vendit dhe pa diskutim që kjo që po ndodh është një pengesë e madhe për ekonominë shqiptare, për bizneset që janë të mbyllura, për edhe këto biznese që janë të hapura, të cilave i ka rënë konsumi dhe i ka rënë xhiroja”, tha ajo.
Ministrja gjithashtu gjatë fjalës së saj foli edhe lidhur me programin e “Garancisë Rinore”, e cila sipas saj synon mbështetjen e punësimit dhe aftësimit profesional të të rinjve në Shqipëri.
Me një fond total prej rreth 60 milionë eurosh, Ibrahimaj theksoi se programi i adresohet të rinjve dhe të rejave deri në moshën 29 vjeç, duke u ofruar atyre mundësi konkrete për t’u integruar në tregun e punës.
“Programi i garancisë rinore, një program i cili është ndërtuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, një program i cili parashikon një fond total prej gati 60 milion eurosh, i cili i dedikohet pikërisht punësimit dhe dhënies mundësie të punësimit apo të aftësimit profesional për çdo të ri dhe të re deri në moshën 29 vjeç.
Janë programe të cilat kanë funksionuar në shumë vende të tjera të Europës ose vende të cilat kanë qenë kandidate dhe kanë hyrë në Bashkimin Europian dhe kanë rezultuar të suksesshme. Është një program i cili është pilotuar në vitin 2026 dhe do fillojë zbatimin në të gjithë republikën në vitin 2027.
Janë programe të cilat neve i kemi menduar që përpara, i kemi punuar bashkë me ekspertët e Bashkimit Europian dhe fillojmë zbatimin në masë të gjerë në vitin 2027 dhe janë të përfshira në buxhetin e vitit 2027.
Ne parashikojmë që të ndërmjetësojmë për punësim për gati 10.000 të rinj në vitin 2027, nuk janë shifra të ulëta. Tani tregu i punës është një treg shumë dinamik. Është një treg i cili kërkon burime njerëzore të kualifikuara. Studentët janë pikërisht ai target grupi i cili kërkohet më së shumti nga tregu i punës dhe sigurisht që neve jemi këtu për të bërë detyrën tonë.
A ka më shumë hapësirë për të bërë më shumë? Patjetër. Neve duhet të ulemi me studentët të diskutojmë konkretisht të gjitha programet që ne kemi. Unë jam e bindur që ka dhe një nivel dizinformimi deri diku për programet që neve kemi aktualisht në zbatim dhe pa diskutim që pas një dialogu me studentët ne do të mund të adresojmë edhe ato problematika të cilat ato do ngrenë”, tha ministrja.



