Shkëlzen Shehu nga Peshkopia denoncon një konflikt me firmën e ndërtimit “Selami” sh.p.k., pas blerjes së një apartamenti në vitin 2019. Në momentin e blerjes, apartamenti dispononte certifikatë pronësie, ku sipërfaqja përcaktohej 126.4 metra katrorë. Shkëlzeni thotë, se ka paguar të gjithë vlerën e apartamentit, plot 60 milionë lekë të vjetra, por ende nuk ka arritur të përfundojë procedurat për certifikatën e pronësisë.Sipas tij, pengesa ka lindur pasi firma e ndërtimit i ka kërkuar pagesë shtesë për disa metra katrorë për hapësira të përbashkëta. “Stop” iu drejtua noterit Ilir Krashi, i cili tha, se bëhet fjalë për një kontratë shitblerjeje me rezervë pronësie dhe se, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, kushtet e likuidimit nga blerësi janë përmbushur. Mosmarrëveshja për disa metra katrorë, sipas sqarimit të marrë, nuk përbën në vetvete pengesë, që Kadastra të vijojë procedurën e regjistrimit.Gazetarja kontaktoi edhe pronarin e firmës, Musa Selami. Ai këmbënguli, se Shkëlzeni nuk i kishte paguar të gjitha detyrimet dhe deklaroi, se ishte i gatshëm t’i kthente paratë blerësit dhe t’i merrte apartamentin. Në vijim, “Stop” iu drejtua edhe Kadastrës dhe sipas përgjigjes së marrë, aplikimi fillestar i qytetarit, ishte kryer gabim, por me një aplikim të ri dhe dorëzimin e dokumentacionit përkatës, procedura mund të vijojë për marrjen e certifikatës së pronësisë.
16 tetori shënon ditëlindjen e Enver Hoxhës, i lindur më 16 tetor 1908. Në këtë datë, nostalgjikët e komunizmit rikthehen te varri i ish-diktatorit, për të nderuar figurën e diktatorit.Ndërsa disa zgjedhin të përkujtojnë të kaluarën komuniste, në Vlorë duket, se dashuria ka marrë tjetër drejtim. Në një parullë në mes të qytetit shfaqet mesazhi “romantik”, “Ujku i zemrës sime”.
Rreth një muaj më parë transmetuam denoncimin e një punonjësi policie, i cili tregoi, se dy gjyqtare kanë vendosur masa të lehta ndaj dy personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, që merret me vjedhje të sofistikuara. Sipas tij, grupi vepron në mënyrë të organizuar: siguron informacion për banesa, që kanë sende me vlerë ose para cash, e merr kasafortën, e hap në një vend tjetër dhe më pas e rikthen në banesë. Një prej episodeve të fundit ndodhi në Tiranë. Agron Goxhaj, 48 vjeç, dhe Andi Hasani, 46 vjeç, u filmuan, duke hyrë në një banesë, por u kapën në flagrancë nga policia në momentin, kur u rikthyen për të lënë kasafortën.Pavarësisht provave të sekuestruara, gjyqtarja e Apelit Adelajda Gjuzi, zëvendësoi masën “arrest në burg” me “arrest shtëpie”. Ndërsa ndodheshin në arrest shtëpie, dy të dyshuarit organizuan një tjetër grabitje në Vlorë dhe gjyqtarja e Vlorës Arbana Selmanaj, vendosi arrest shtëpie. Andi Hasani, u kap nga kamerat e “Stop” duke duke e thyer arrestin e shtëpisë dhe u arrestua në flagrancë. Si për cudi, edhe pse rasti ishte i përsëritur, në Gjykatën e Tiranës, gjyqtarja Yrfet Shkreli e nxorri sërish në arrest shtëpie Andi Hasanin.




