Një alarm i rremë për vendosjen e lëndëve shpërthyese në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit mëngjesin e sotëm. Rreth orës 06:30, një 47-vjeçar ka telefonuar Policinë e Tiranës duke pretenduar se në shkollën “Emin Duraku” kishte terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë.
Menjëherë pas telefonatës, në shkollë kanë shkuar shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror. Pas kontrolleve dhe verifikimeve, rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe në ambientet e shkollës nuk kishte asnjë lëndë të rrezikshme.
Sipas Policisë së Shtetit, nga hetimet e mëtejshme u zbulua se autori i telefonatës, shtetasi me inicialet M. J., kishte publikuar edhe në rrjetet sociale informacionin e rremë. Para arrestimit, ai kishte bërë një video live, ku tregonte se kishte telefonuar policinë dhe priste mbërritjen e patrullës.
“Sapo mora Policinë e Shtetit, për të denoncuar terrorizmin në shkolla. Të shohim për sa do vijnë. Shpresoj që çdo prind të bëjë të njëjtin veprim për të ruajtur fëmijët. Të shohim për sa vjen patrulla. Trafik nuk ka, rrugët janë bosh. Kur je te Kryeministria të arrestojnë me sekonda. Paradoksi shqiptar, një fëmijë nuk vlen sa kryeministri”, shprehet 47-vjeçari Mandi Jatagani në videon live.
Në vijim të videos, ai shprehet: “Të shohim për sa vjen patrulla”, ndërsa sipas policisë, telefonata kishte shkaktuar mobilizimin e strukturave të specializuara për shkak të natyrës së denoncimit.
Specialistët e Njësisë Antiterror kanë arrestuar shtetasin M. J., 47 vjeç, për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Policia njofton se materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.




