Në Durrës, familja Shala kërkon drejtësi për 28-vjeçarin Andi Shala, i cili humbi jetën më 12 maj 2026, pasi motori me të cilin udhëtonte, u përplas me një automjet. Nëna e tij, Valbona Shala, mes dhimbjes, kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.Familja ngre pikëpyetje edhe për masën e sigurisë ndaj drejtuesit 19-vjeçar të automjetit, i cili fillimisht u arrestua, por më pas kaloi në arrest shtëpie.Ekspertiza e parë ka përcaktuar, se motori drejtohej pa ndriçim dhe dokumentacion, ndërsa automjeti dyshohet, se lëvizte me 77 km/h, kundrejt rreth 40 km/h të motorit. Por Prokuroria ka kërkuar riekspertim, si dhe informacion nga ARRSH për kufizimin e shpejtësisë dhe sinjalistikën në segmentin rrugor.Një tjetër pikë shqetësuese është dokumentimi i vendngjarjes. Sipas materialit, një foto e fenerit të automjetit, e cila mund të ndikonte në përcaktimin e dinamikës së aksidentit, nuk është dorëzuar te ekspertët. Gjithashtu, fillimisht është pretenduar, se në zonë nuk kishte kamera, ndërsa familja dhe “Stop” identifikojnë kamera të banesave pranë vendit të aksidentit. Një prej pronarëve të këtyre objekeve thotë, se pamjet nuk i janë kërkuar.Familja kërkon, që rrethanat e aksidentit të hetohen tërësisht, për të përcaktuar përgjegjësinë dhe për të shmangur çdo dyshim mbi mënyrën, se si është hetuar ngjarja.
Në rrugën “Taulantia”, pranë ish-Tregut Elektrik, prej shumë muajsh vijon një situatë problematike, pavarësisht denoncimeve të banorëve. Gjendja në terren tregon, se qytetarë të ndryshëm, kanë hedhur materiale ndërtimi e lloj-lloj sendesh të papërdorshme, në kazanët e plehrave dhe askush nuk vjen, që t’i marrë. Prej muajsh kanë bërë denoncime në aplikacionin “Tirana Ime”, duke kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës, por sipas tyre, nuk kanë marrë asnjë reagim.
Ogerta Alushi, e diplomuar në Master për Mësuesi në Gjuhën Gjermane në vitin 2024, në Universitetin e Durrësit, denoncon, se prej dy vitesh, nuk ka marrë diplomën. Ajo thotë, se i nevojitet për punësim jashtë vendit.Kur pyet në universitet, i thonë, se diplomat nuk janë shtypur nga shtypshkronja. Pas interesimit të emisionit “Stop” pranë Universitetit të Durrësit dhe kërkesës zyrtare për informacion, institucioni njofton, se diplomat janë gati, për t’u tërhequr. Por, kur Ogerta shkon ta marrë, përballet me një tjetër problem: diploma përmban gabime të rënda në shkrim dhe në vitin akademik.




