Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja ka ndarë me qytetarët shqiptarë një lajm të mirë që ka të bëjë me rijetëzimin e Kullave të Veriut.
Përmes një postimi, Gonxhja u shpreh se aktualisht po punohet paralelisht në disa drejtime, teksa shtoi se ASHK janë trajtuar tani 697 raste në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës.
Po ashtu, ministri bën me dije se në bashkëpunim me studentët e Arkitekturës janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat do të shërbejnë si modele për ndërhyrjet konkrete.
“Tjetër lajm i mirë! Po finalizojmë Programin Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave të Veriut së bashku me GIZ dhe ASHK, me objektivin që brenda vitit 2027 të kalojmë nga faza e evidentimit dhe projektimit në investime konkrete për restaurim e rijetëzim.
Aktualisht po punojmë në disa drejtime paralelisht.
Së pari, së bashku me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, po vijojmë formalizimin e pronësisë. Janë trajtuar deri tani 697 raste në Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, në mënyrë që kullat që do të përfshihen në program të kenë bazën e nevojshme juridike për trajtim e financim.
Nga rastet e trajtuara:
* 180 raste kanë përfunduar me vendim ose janë pajisur me certifikatë pronësie;
* 50 raste janë certifikuar më parë;
* 73 raste janë në pritje të plotësimit të dokumentacionit;
* 175 raste të tjera rezultojnë pa aplikim;
* 6 raste janë në proces afishimi.
Së dyti, kemi nisur përgatitjen teknike të ndërhyrjeve. Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të UPT janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, të cilat do të shërbejnë si modele për ndërhyrjet konkrete.
Hapi tjetër është përcaktimi i listës së objekteve prioritare, duke nisur nga 64 kullat me status Monument Kulture, kullat në rrezik dhe ato për të cilat procesi i pronësisë ka përfunduar ose është pranë përfundimit.
Për këto objekte do të parashikojmë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, me fokus restaurimin e plotë dhe rijetëzimin e tyre. Synimi është që, krahas restaurimit, kullave t’u japim një funksion konkret – si bujtina, agroturizme, muze apo qendra mikpritjeje – në mënyrë që investimi të gjenerojë aktivitet ekonomik dhe turistik”, shprehet Gonxhja.



