Një shofer është dënuar me 6 mijë lek të reja gjobë, i është hequr patenta për 6 muaj si dhe i janë zbritur 10 pikë nga patenta.
Kjo masë erdhi pas shkeljeve të rregullave nga ana e shoferit, i cili teksa ka qenë duke ngarë një furgon, është futur në parakalim në një kthesë, ku edhe fushëpamja ka qenë e kufizuar.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet drejtuesi i një automjeti tip furgon, duke qarkulluar në korsinë e kundërt, në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, në aksin rrugor “Shkodër–Theth”, ju informojmë se:
Specialistët e Sektorit te Policisë Rrugore Shkodër kryen verifikimet përkatëse dhe identifikuan drejtuesin e automjetit, shtetasin V. B., banues në Malësi të Madhe.
Në përfundim të veprimeve, për shkeljen e parashikuar në nenin 141, pika 10, të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit u ndëshkua me masë administrative 6000 lekë. Gjithashtu, atij iu pezullua leja e drejtimit për 6 muaj dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar se çdo denoncim do të trajtohet me përparësi dhe në përputhje me ligjin.



