“Kam mbi 30 rrënjë ullinj, janë djegur të gjithë”/ Dëmet e zjarrit në Himarë, banorët: Shpresat i kishim te prodhimi i këtij viti

Dhjetëra rrënjë ullinj janë shkrumbuar nga zjarri masiv që përfshiu zonën e Himarës, duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët që prej vitesh kujdeseshin për tokat e tyre.

Një e moshuar tregon me dhimbje se ka humbur më shumë se 30 rrënjë ullinj, të cilat i kishte kultivuar me shumë mund.

“Kam mbi 30 rrënjë ullinj. Janë djegur të gjithë. Me zor i kam rritur. Dje këtu nuk të linte flaka dhe tymi. Në mëngjes lotonim nga tymi, nuk hynim dot”, rrëfen ajo.

Për familjen e saj, ullinjtë nuk ishin vetëm pjesë e tokës, por edhe një burim i rëndësishëm të ardhurash. E moshuara shprehet se shpresat për këtë vit ishin te prodhimi i ullinjve, pasi sezoni i vjeljes pritej të niste së shpejti.

“Çfarë të shpresojmë për dëmshpërblim? Nga të presim, kush do të na japë? Ne shpresën te ullinjtë e kishim. Niste sezoni i vjeljes”, thotë ajo.

Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, bimësi dhe prona të banorëve, duke lënë pas dëme të mëdha materiale. Tashmë, familjet e prekura përballen me pasojat ekonomike të humbjes së prodhimit dhe presin vlerësimin e dëmeve nga autoritetet.

Për banorët, shqetësimi kryesor mbetet nëse do të ketë mbështetje dhe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga zjarri.

Të Fundit