Kanë nisur këtë të premte në Qarkun e Korçës takimet me qytetarët në kuadër të platformës “Besa”, ku deputetët socialistë kanë hapur dyert për të dëgjuar nga afër problematikat dhe shqetësimet e banorëve.
Në Pogradec, qytetarët janë pritur nga deputeti Bledi Çomo. Sipas informacioneve, pjesa më e madhe e shqetësimeve të paraqitura lidhej me pensionet, infrastrukturën rrugore dhe çështjet e pronësisë. Disa prej qytetarëve janë shprehur se këto probleme i kanë ngritur prej vitesh pa gjetur zgjidhje, ndërsa tashmë po tentojnë sërish t’i adresojnë përmes takimeve me deputetët.
Takimet janë zhvilluar paralelisht në disa zona të qarkut. Në Drenovë qytetarët janë pritur nga deputetja Besa Spaho, në Korçë – Rajoni 2 nga deputetja Romina Kuko, në Miras nga deputeti Genti Lakollari, në Pogradec nga deputeti Bledi Çomo, ndërsa në Qendër Bulgarec nga deputeti Ilirian Pendavinji. Takimet ishin parashikuar të nisnin në orën 17:00.
Mësohet se përpara nisjes së tyre, drejtuesi politik i PS-së për Qarkun Korçë, Niko Peleshi, ka porositur që takimet të zhvillohen pa praninë e medias, ndërsa qytetarët të priten individualisht nga deputetët për të parashtruar problematikat e tyre. Kjo është e premtja e parë e takimeve të platformës “Besa” në Qarkun Korçë. Deputetët e mazhorancës pritet që çdo javë të zhvendosen në zona të ndryshme të qarkut, ku do të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me qytetarët.



