Në Greqi ka nisur sot zbatimi i Nismës Kombëtare për Uljen e Çmimeve, një marrëveshje mes qeverisë dhe sektorit të tregtisë që synon të ulë kostot për konsumatorët.
Mbi 1,660 produkte janë përfshirë deri tani në nismë, ndërsa ulja mesatare e çmimeve është rreth 7%. Për disa produkte, ulja arrin deri në 30%.
Konsumatorët grekë do t’i identifikojnë produktet e përfshira përmes një etikete të posaçme në raftet e supermarketeve, me mbishkrimin “Ulja e Çmimeve – Nisma Kombëtare në praktikë”. Në etiketë do të shfaqet çmimi i ri, ndërsa informacioni i detajuar për produktet dhe përqindjen e uljes do të jetë i disponueshëm online përmes platformës “PosoKanei”.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 900 produkte të markave të njohura kanë ulje mesatare prej 7%, ndërsa për disa prej tyre zbritja shkon deri në 30%. Në listë janë përfshirë gjithashtu mbi 450 artikuj shkollorë, me ulje mesatare rreth 10%, rreth 250 produkte me markë private me ulje prej 7%, si dhe mbi 60 produkte mishi, me një ulje mesatare prej 7.2%.
Në nismë marrin pjesë më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 rrjete supermarketesh dhe 3 rrjete dyqanesh lodrash dhe artikujsh shkollorë.
Një element i rëndësishëm është se ulja përfundimtare mund të jetë edhe më e madhe se 7%. Supermarketet mund të aplikojnë një zbritje shtesë mbi uljen e ofruar nga furnizuesit, ndaj i njëjti produkt mund të ketë çmime të ndryshme nga një rrjet supermarketesh në tjetrin.
Masa nuk është një promocion afatshkurtër. Uljet do të qëndrojnë në fuqi për dy deri në katër muaj, në varësi të produktit dhe kompanisë.
Nisma vjen pas një marrëveshjeje mes qeverisë greke, industrisë dhe sektorit të shitjes me pakicë, fillimisht për ngrirjen e çmimeve gjatë korrikut dhe gushtit dhe më pas për zgjerimin e listës së produkteve me çmime të reduktuara.
Autoritetet greke vlerësojnë se masat mund të ndihmojnë në zbutjen e presioneve inflacioniste, veçanërisht në sektorin e ushqimeve. Sfida kryesore mbetet që uljet e shpallura të përkthehen në kursime reale për familjet greke.



