Mrekulli në SHBA, fëmija i shpallur i vdekur zbulohet gjallë pas 5 orësh në morg

Një djalë 18-muajsh në Arizona, SHBA, përjetoi një ngjarje të pazakontë pasi një mjek e shpalli të vdekur, pavarësisht se ekipet e shpëtimit këmbëngulnin se fëmija kishte ende shenja jete. Ai u gjet më vonë gjallë në morgun e spitalit, ku ishte dërguar pasi u nxor pa ndjenja nga pishina e shtëpisë.

Ngjarja ndodhi më 8 shkurt, kur familjarët telefonuan shërbimet e emergjencës pasi e gjetën fëmijën me fytyrë poshtë në pishinë. Ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendngjarje nisën menjëherë procedurat e reanimimit dhe më pas e transportuan 18-muajshin në spital.

Sipas raportit të policisë, oficerët i thanë mjekut Arian Toussi se kishin vërejtur shenja jete te fëmija, por ai e shpalli të vdekur rreth një orë pasi mbërriti në spital.

Raporti i policisë thotë se mjeku u përgjigj me sarkazëm ndaj oficerëve, duke u thënë: “Ju lutem bëni punën tuaj dhe më lini mua të bëj timen. Unë shkova në shkollën e mjekësisë për një arsye.”

“Nëse nuk ka kundërshtime, do të doja të njoftoja kohën e vdekjes. Ora e vdekjes 6:20 pasdite. Një moment heshtjeje”, dëgjohet të thotë Toussi në videon e kamerës trupore të një prej oficerëve.

Pesë orë më vonë, kur në spital mbërriti zyra e mjekut ligjor, u bë zbulimi i papritur: fëmija ishte ende gjallë dhe po merrte frymë. Më pas ai u transportua me helikopter në një spital tjetër, ku mori trajtim dhe u shërua. Që atëherë, ai është larguar nga spitali.

Avokati i mjekut, Scott Holden, tha për BBC se “nga mirësjellja ndaj familjes dhe në respekt të privatësisë së pacientit, refuzojmë me respekt të bëjmë një deklaratë në këtë kohë”.

Nga ana e saj, administrata e spitalit njoftoi se ka nisur një “rishikim të plotë të të gjitha aspekteve të kujdesit të ofruar për të kuptuar se çfarë ndodhi dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e kujdesit”. Spitali e cilësoi ngjarjen si “tronditëse”, pa dhënë detaje të tjera.

Të Fundit