Qeveria ndryshon skemën e bonusit të pensioneve, ministrja Ibrahimaj: Do të jepet në bazë mujore

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan mëngjesin e kësaj të enjteje një takim me pensionistët.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se pas reformës së pagave, fokusi kryesor i qeverisë është zhvendosur te pensionistët. Ajo bëri me dije se që nga marrja e mandatit, rreth 70 miliardë lekë janë alokuar për bonuset e kësaj kategorie.

Ibrahimaj theksoi se më parë rritjet domethënëse kanë qenë të pamundura, ndaj është aplikuar indeksimi vjetor për të mbrojtur fuqinë blerëse nga rritja e çmimeve, si dhe bonusi tradicional i dhjetorit.

“Pensionet ishin diçka ku ne, që kur rritëm pagat do të fokusoheshim. Që kur kemi marrë mandatin, janë rreth 70 miliardë lekë që kanë shkuar për bonuset e pensionistëve. Ne nuk kishim mundësi më parë që të bënim rritje domethënëse të pensioneve, por çdo vit bëjmë indeksimin e pensioneve, me qëllim që të ardhurat dhe fuqia blerëse e pensionistëve të mos ndikohet nga rritja e çmimeve. Kemi pasur çdo vit bonusin e pensioneve, që është dhënë në dhjetor.

Nga viti 2026 kemi ndryshuar politikën tonë. Bonusin do ta japim në bazë mujore, sipas kategorive, në mënyrë që pensioni mesatar i atyre që kanë vite të plota pune të shkojë në 400 euro dhe pensioni mesatar i atyre që kanë vite të pjesshme pune të shkojë në 200 euro.

Të gjitha të ardhurat shtesë që ne i marrim si pasojë e rritjes ekonomike do t’i rishpërndajmë te pensionistët.

Nga sot ka nisur shpërndarja e një tjetër bonusi pensionesh për vitin 2026, në vlerën 5 mijë lekë të reja. Janë rreth 33 mijë pensionistë që sot, bashkë me pensionin, kanë marrë bonusin e vlerës dhe rishpërndarjen e të ardhurave. Për këtë bonus, qeveria ka vënë në dispozicion 3.9 miliardë lekë”, u shpreh ajo.

Të Fundit