Vila e famshme Certosa në Sardenjë, rezidenca luksoze që i përkiste ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, i është shitur familjes mbretërore të Katarit, dinastisë Al Thani, për 350 milionë euro.
Sipas mediave italiane, marrëveshja është konfirmuar nga Immobiliare Idra, e cila ka pranuar një ofertë detyruese për shitjen e pronës. Lajmi vjen pasi negociatat e raportuara prej muajsh nga mediat italiane kishin hyrë në fazën përfundimtare.
Shitja e vilës ishte objekt spekulimesh që prej qershorit 2023, pas vdekjes së Berlusconit. Në atë periudhë u përfol për interes nga investitorë të Lindjes së Mesme dhe zinxhirë të mëdhenj hotelesh luksoze, ndërsa çmimi fillestar i kërkuar ishte 500 milionë euro.
Villa Certosa do të kalojë tashmë në pronësi të familjes Al Thani, e cila vitet e fundit ka shtuar investimet në rajonin e Gallurës, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe shëndetësisë. Sipas raportimeve, blerja është realizuar përmes një kompanie investimi me seli në Luksemburg, e cila menaxhon investimet e Katarit në pasuri të paluajtshme në Europë.
Villa Certosa konsiderohet një nga rezidencat private më luksoze dhe më të njohura në Itali. Prona ka shërbyer për vite me radhë si vend pritjeje për liderë botërorë, aleatë politikë të Berlusconit dhe figura të njohura të biznesit.
Kompleksi përfshin pishina, spa, shtëpi për mysafirë, ambiente sportive, pistë helikopterësh, një vullkan artificial dhe zona të shumta rekreative të projektuara posaçërisht, duke e bërë atë një nga pronat më të veçanta në Mesdhe.



