Policia e Tiranës ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të rrethanave të zhdukjes së Eglant Koçit, 34 vjeç, i denoncuar si i humbur nga familjarët e tij më 5 qershor. Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se i riu mund të jetë rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur.
Dyshimet mbi bazën e provave të grumbulluara nga hetuesit e krimeve të rënda në policinë e Tiranës, dyshohet se shkak është bërë një sasi parash digjitale që posedonte i riu në aparatin e tij celular.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë çuar në identifikimin e 41-vjeçarit, Armand Shakaj i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin. Ai është shpallur në kërkim policor, ndërsa strukturat e Policisë vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë. Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili mund ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin me automjet.
Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se mbahej peng i riu, si dhe në një sërë zonash të tjera, por pa mundur të gjejë gjurmë të 34-vjeçarit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij hetimi është arrestuar në flagrancë Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin pas ngjarjes.
Policia thekson se kërkimet për gjetjen e E.K. vijojnë pa ndërprerje, ndërsa për shkak të hetimeve në zhvillim nuk mund të bëhen publike të gjitha detajet e dosjes në këtë fazë.



