Rudina Zaimi iu drejtua emisionit “Stop” për një problem të pazakontë. Ajo thotë, se është martuar me Çlirimin që në vitin 1995, por në regjistrat e gjendjes civile rezulton beqare.Sipas Rudinës, ajo është me origjinë nga Maminasi dhe më pas ka qenë banore e Njësisë Administrative nr. 7 në Tiranë. Martesa, sipas saj, është regjistruar në ish-Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë nr. 9, pranë godinës së “Zërit të Popullit”. Megjithatë, sot ajo nuk rezulton e martuar në asnjë prej regjistrave, ku ka kërkuar informacion. Rudina shprehet, se është interesuar në Maminas dhe në Skrapar, por askund nuk figuron e martuar. Më pas është drejtuar në Njësinë Administrative nr. 7, ku gjithashtu nuk ka gjetur zgjidhje. Dokumenti i vetëm, që disponon është një vërtetim i lëshuar vite më parë nga Njësia nr. 9, ku rezulton e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Sot, sipas saj, edhe kjo zyrë e mohon ekzistencën e të dhënave.Me humor Rudina thotë, se nuk do, që institucionet ta ndajnë nga bashkëshorti, pasi edhe pas 30 vjetësh e do të shoqin. Në Njësinë Administrative nr. 7, zyrtarët konfirmojnë se kanë ndjekur rastin, por sipas verifikimeve të tyre Rudina nuk rezulton e martuar në sistem. Sipas tyre, zgjidhja mund të kërkohet vetëm përmes gjykatës.Në Bashkinë e Tiranës vlerësohet, se çështja shkon përtej kompetencave të zyrës lokale dhe se zgjidhja duhet kërkuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.




