Arben Myzeqari denoncon një histori të gjatë përplasjesh ligjore dhe administrative në Fier, ku pretendon se, megjithëse pagoi rreth 113 milionë lekë për blerjen dhe legalizimin e një prone përmes ALUIZNI-t, sot ka mbetur pa pronën dhe pa paratë e tij. Sipas tij, gjithçka nisi në vitin 2005, kur familja bëri vetëdeklarimin e objektit, një tavernë në Fier. Më pas, në vitin 2011, ai nënshkroi kontratën me ALUIZNI-n dhe kreu pagesën për kalimin e pronës në emrin e tij, duke pritur legalizimin përfundimtar dhe certifikatën e pronësisë.Por, ndërsa procesi ende nuk kishte përfunduar, një palë tjetër, që pretendonte pronësinë e truallit, ngriti padi për lirimin dhe dorëzimin e pronës. Sipas Myzeqarit, çështja u shqyrtua në të tre shkallët e gjyqësorit dhe gjykatat nuk i dhanë të drejtë palës paditëse, duke lënë në fuqi pretendimin e tij mbi objektin.Megjithatë, konflikti mori një tjetër kthesë në vitin 2018, kur objekti u shemb me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Fierit. Pas prishjes së ndërtesës, në zonë u dha leje për një ndërtim të ri, ndërsa Myzeqari pretendon, se ai nuk mori asnjë kompensim dhe nuk iu kthyen paratë e paguara për legalizimin. Ai thotë, se ka depozituar kallëzime penale ndaj zyrtarëve, që i konsideron përgjegjës për këtë situatë dhe se projekti i ndërtimit është pezulluar pikërisht për shkak të këtyre procedimeve. Prej vitesh ai endet nëpër gjykata dhe institucione, ndërsa ende nuk ka marrë një përgjigje, se çfarë ndodhi me pronën dhe me shumën, që pagoi.




