Në prag të Kurban Bajramit, thirrja e kreut të KMSH-së: Të jemi më pranë njëri-tjetrit!

Të mërkurën, 27 maj, myslimanët festojnë Kurban Bajramin ose Bajramin e Madh.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë shqiptarët përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale.

Ai thekson se kjo festë na kujton vlerat e sakrificës, përkushtimit ndaj Zotit dhe kujdesit për njëri-tjetrin, veçanërisht për familjet, të moshuarit dhe njerëzit në nevojë.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të islamit, është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, e solidaritetit dhe dashurisë për njeriun. Na rikujton shembullin e profetit Ibrahim, paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili me devotshmëri të plotë tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj krijuesit.

Ky mesazh mbetet edhe sot një thirrje e fuqishme për të forcuar moralin, përgjegjësinë dhe mbi të gjitha humanizmin në jetën tonë të përditshme. Në këto ditë të bekuara, mijëra besimtarë nga mbarë bota, ndodhen në tokat e shenjta të Mekës”, tha Spahiu, duke nënvizuar se feja islame ndërtohet mbi paqen dhe vlerat njerëzore universale.

“Kjo festë na reflekton të jemi më shumë me njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve tona, më pranë të moshuarve, njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemre që ka nevojë për shpresë!”, tha ai, pasi sipas tij kurbani nuk është vetëm rit fetar, por edhe ndarje e asaj që ke me tjetrin.

Në një kohë kur bota përballet me pasiguri të shumta, mesazhi i kësaj feste merr një rëndësi edhe më të madhe, tha Spahiu.

“Kemi nevojë për dialog, respekt e bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri, drejtësi e shpresë!”, ishte thirrja e kreut të KMSH-së.

Të Fundit