Ferdane Muça dhe bashkëshorti i saj prej 15 vitesh janë në konflikt me ish-nusen e djalit dhe ish-krushkun për një banesë në Tiranë, të cilën thonë, se e kanë blerë dhe rindërtuar përpara martesës së djalit në vitin 2004. Pas divorcit në vitin 2008, ish-nusja kyçi dhomën, ku jetonte me djalin, dhe u largua në Suedi, ku jeton me një tjetër burrë. Por ajo vijon të kërkojë në gjykatë ¼ e shtëpisë.Çifti i të moshuarve pretendon, se nuk kanë guxuar ta hapin dhomën nga frika e kërcënimeve të ish-krushkut. Ndërkohë, ky i fundit ka lënë edhe një pajisje akulloresh në oborr, e cila, sipas familjes, ka bllokuar kanalet e ujit dhe ka shkaktuar përmbytje në banesë.Avokatja Eda Grimci sqaron, se familja Muça ka certifikatë pronësie të vitit 2011 dhe se çështja gjyqësore lidhet vetëm me kërkesën e ish-nuses, për t’u njohur bashkëpronare. Gjykata e Lartë e ka kthyer dosjen për rishqyrtim në Apel.Meqë nuk kishte urdhër bllokimi dhe askush nuk ishte paraqitur për sende personale, dhoma u hap pas 15 vitesh. Ndërsa ish-krushku vazhdon të pretendojë, se ka të drejta mbi pronën dhe refuzon të heqë pajisjen nga oborri.




