Rusia godet kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, ministri Hoxha: E papranueshme!

Sulmet ruse të mbrëmjes së kaluar në Ukrainë kanë goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Lajmi është bërë i ditur këtë të diel, më 24 maj, përmes një postimi në rrjetet sociale nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili shkruan se jeta e ambasadorit është vënë në rrezik serioz, duke e konsideruar këtë diçka të papranueshme.

Sipas ministrit, sulmet ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë një shkelje të rëndë dhe dëshmi të kostos njerëzore që po sjell lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!

Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë. Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim.“, thuhet në postimin e kreut të diplomacisë shqiptare.

Ministri Hoxha ka njoftuar se ka thirrur për shpjegime ambasadorin rus në Shqipëri, Alexey Zaytsev, ndërsa në të njëjtën kohë i bën thirrje Rusisë të ndalojë sulmet.

“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.

Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.

Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime.”, përfundon ministri.

Kjo nuk është hera e parë që stafi i ambasadës shqiptare në Kiev vihet në rrezik nga Rusia. Sjellim ndërmend se edhe në dhjetor të vitit 2024, një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse dëmtuan pjesërisht fasadën e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.

Të Fundit