Kush janë drejtuesit e Policisë së Sarandës që u arrestuan nga operacioni “AMP”

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, është arrestuar këtë të premte në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Bashkë me të janë vënë në pranga edhe dy specialistë policie, ndërsa burime paraprake bëjnë me dije se priten edhe arrestime të tjera.

Operacioni është shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, pas dyshimeve për përfshirjen ose tolerimin e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, një nga zonat më të frekuentuara turistike të jugut të vendit.

Sipas burimeve hetimore, AMP po verifikon rastet e fundit të ndërtimeve të paligjshme dhe rolin që mund të kenë pasur efektivë të policisë lokale në mosveprimin ndaj tyre.

Një ditë më parë, Policia e Sarandës arrestoi 8 persona që dyshohet se po kryenin ndërtime pa leje pranë bregdetit. Po ashtu, në kërkim është shpallur edhe pronarja e truallit ku po zhvilloheshin punimet.

NJOFTIMI I AGJENCISË SE MBIKQYRJES POLICORE

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
•Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
•Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
• Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
•Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;
ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale:
•“Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
•“Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal;
•“Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur për të goditur çdo formë abuzimi me detyrën, shkeljeje të ligjit dhe bashkëpunimi me elementë kriminalë, pavarësisht funksionit apo pozicionit të personave të përfshirë.
AMP inkurajon dhe mbështet çdo denoncim të ardhur nga qytetarët dhe mediat, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe verifikim të plotë të çdo informacioni në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjes së besimit publik.

Të Fundit