I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë deklaratën e tij lidhur me shpërthimin në lokalin e reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik “Noizy”.
Tafani është shprehur se e gjitha nisi nga një konflikt në platformën TikTok midis Noizy-t dhe reperit Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio, ky i fundit i cili është dhe shok me Laert Haxhiun.
Grupi i Noizy-t sipas Tafanit, ka goditur Cllevion, gjë që nuk i pëlqeu Haxhiut, ndaj ky i fundit kërkoi që t’i bënte diçka Rajkut. Kështu, Tafani sugjeroi vendosjen e tritolit, mendim ky që u kundërshtua nga Luis Haxhiu, vëllai i Laert Haxhiut. Por, një telefonatë nga e ëma ndryshoi qëndrimin e Laert Haxhiut, duke bërë që të jepte urdhrin për të vendosur tritolin në lokalin e Noizy-t.
“Kemi pas një natë në Astir unë, Laerti dhe Lulzim Spahija. Në atë kohë Laerti ndiqte TikTok-un. Ka ndodhur një sherr ku u zu Kleviol Ahmetaj me Noizyn. Më pas këta e goditën Kleviolin, Laerti e ka shok, njihen familjarisht. Laerti fliste me njerëzit e vet dhe nuk i erdhi mirë që e rrahën Kleviolin në atë mënyrë. Ne po diskutonim, po kërkonte Laerti që t’i bënte diçka Noizyt për atë që bëri, kjo ishte arsyeja pse ka rrah Kleviolin. Luis Haxhiu, vëllai i Laertit nga Gjermania, po flisnim dhe i thashë që do t’i vëmë tritol Noizyt. Vëllai i Laertit tha çfarë po bëni, mos i bëni këto gabime. Më pas mamaja e ka marrë Laertin në telefon dhe po diskutonin si e goditën gjynah, dhe si duket aty Laerti u vendos në sedër. Pasi kaloi pak, na tha mua dhe Lulzimit: “Ikni, vendosjani atij tritolin.””, tha Tafani.
Më pas, i penduari i drejtësisë ka rrëfyer të gjitha hapat që ndërmori për vendosjen e tritolit.
“Ne kishim tritol në shtëpi në Astir. Tritolin e kishim marrë në Tepelenë, kishim 1 kg ose 1 kg e ca. Më pas unë dhe Lulzimi kemi shkuar në Durrës, mora disa nga 100 gram, i ngjita dhe i bëra gati. Ne shkuam më pas tek garazhi dhe kemi bërë makinën gati. Laerti vendosi që të ikim me makinën time, i hoqa targat dhe i vendosa targat e një Benz-i të zi që e kishim marrë tek Palmanova. Kemi shkuar me makinën time në Durrës, Lulzim Spahiu i dinte rrugët nga do shkonim. Kam parkuar në një rrugë aty. Laerti na tha që t’ia hedhim brenda në lokal. Ishte ora 3:30 ose 4:00. Kam shkuar vetëm se Lulzimi po rrinte në makinë. U afrova, s’po gjeja shkallët, u ktheva tek makina dhe si përfundim e vendosa tek dyqani poshtë që ishte i rrobave, Rigels e ka pas emrin. E vendosa aty, e ndeza fitilin dhe ika. Sa jemi larguar pak, aty tek shinat, pa dalë tek rruga kryesore që del për në autostradën Tiranë, e dëgjuam që shpërtheu. I kemi shkruar Laertit që shpërtheu. Jemi kthyer në Astir”, tha ai.
Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2022.



