Në Spitalin e Këlcyrës denoncohet një situatë problematike me mungesën e medikamenteve bazë, ku pacientët detyrohen t’i blejnë vetë në farmaci edhe barnat më të domosdoshme. Gjatë një vizite të kryer në ambientet e spitalit, një pacient paraqitet me gjendje të fikti dhe mjekja vendos t’i bëhet një glukozë 5%, ndërsa njëkohësisht kërkon, që familjarët të blejnë në farmaci “Omeprazol” dhe “Ringer”, pasi spitali nuk i disponon. Mjekja pranon, se mungesat janë të vazhdueshme për shkak të buxhetit të kufizuar, duke deklaruar, se fondet që i vijnë institucionit janë të pamjaftueshme për nevojat e përditshme.Infermierja konfirmon gjithashtu mungesën e preparateve të nevojshme, ndërsa në farmaci rezulton, se disa nga ilaçet nuk gjenden. Kjo bën, që pacientët të rikthehen sërish me barnat e blera privatisht për të marrë trajtimin. Personeli shpreh shqetësim për mungesën e furnizimeve dhe buxhetin e ulët, duke theksuar, se fondet nuk mbulojnë nevojat vjetore të një institucioni shëndetësor. Përmendet gjithashtu mungesa e barnave jetike si antivipera, të cilat, sipas stafit, kanë kosto të lartë dhe shpesh nuk përdoren për shkak të skadimit, ndërsa rastet emergjente mbeten të pambuluara.



