Në Fier, konflikti mes dy kunatave të familjes Kadhaj vijon prej vitesh për shkak të punimeve në banesë. Arben dhe Alketa Kadhaj denoncojnë, se kunata e tyre, Vasilika Kadhaj, nuk i lejon të kryejnë asnjë ndërhyrje në shtëpi, edhe pse punimet kryhen me leje sipas Nenit 6 dhe familja ndodhet në proces legalizimi. Sipas Alketës, banesa ka nevojë për rikonstruksion, për shkak të kushteve jo të mira, por çdo punim shoqërohet me konflikte dhe ankesa.Nga ana tjetër, Vasilika Kadhaj pretendon, se ndërhyrjet i kanë zënë dritën, i kanë ulur vlerën e banesës dhe kanë prekur kolonën e shtëpisë së saj. Ajo mohon të ketë bërë ankesa të pabaza, ndërsa përplasjet mes dy kunatave janë bërë publike edhe gjatë përballjes me gazetarin e “Stop”.Inspektori i IMT-së, Besnik Shahaj, sqaron, se familja nuk ka ndërtuar pa leje dhe se çdo verifikim është bërë pas ankesave të përsëritura të Vasilikës. Ndërkohë, familjet nuk disponojnë ende dokumente pronësie për banesat, por vetëm certifikata trualli dhe janë në proces legalizimi.
Një qytetar denoncon një situatë të rrezikshme në Llixhat e Elbasanit, pranë llixhës së sipërme, ku telat e energjisë elektrike, sipas tij, po prekin ujin e një liqeni të vogël. Qytetari thotë, se ka njoftuar dy punonjës të elektrikut në zonën e llixhave të poshtme, por ata janë shprehur, se linja nuk ishte në administrimin e tyre. Sipas dëshmisë, një prej punëtorëve ka reaguar me indiferencë duke bërë, që rreziku të jetë prezent, pasi zona është e frekuentuar dhe pranë saj ka banesa dhe hotele.
Në Durrës, 75-vjeçarja Luljeta Cani, prej më shumë se pesë vitesh jeton jashtë banesës së saj, pasi shtëpia u dëmtua rëndë nga shembja me tritol e një pallati pranë saj, pas tërmetit të vitit 2019. Sipas Luljetës dhe banorëve të zonës, shpërthimi shkaktoi çarje të mureve dhe dëmtime të mëdha në çati, ndërsa shpenzimet për riparimet i kanë përballuar vetë, pa marrë asnjë ndihmë financiare. Edhe pse pallati është rindërtuar, banesa e zonjës Cani vijon të mbetet në gjendje të rëndë. Bashkia e Durrësit ka deklaruar, se do t’i japë një fond financiar, por pa përcaktuar as afatet dhe as shumën. Në vitin 2020, kryeministri Edi Rama i kishte premtuar zonjës, se shteti do të paguante qiranë dhe do t’i rikonstruktonte shtëpinë.




