Në vijim të hetimeve për një seri denoncimesh për mashtrim financiar, skandali i Eriola Hoxhës ka marrë përmasa të reja.Sipas denoncimit të bërë nga qytetari Durim Hoxha, ai është kontaktuar nga Eriola Hoxha, e cila i ka premtuar dyfishim të shumës, nëse investonte 10 mijë euro. Sipas tij, ajo i është prezantuar si eksperte pranë Bankës së Shqipërisë, duke i krijuar besim për marrëveshjen.Denoncuesi shprehet, se më 1 shtator 2025 i ka dhënë shumën prej 10 mijë eurosh, me premtimin, se brenda 1 tetorit do të merrte 20 mijë euro. Por pas afatit, paratë nuk u kthyen dhe komunikimi me Eriolën u ndërpre. Pas kallzimit, Policia e Shtetit, ka marrë në shqyrtim rastin dhe, sipas oficerëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndaj saj rezultojnë edhe denoncime të tjera të ngjashme. Autoritetet konfirmojnë, se ajo ndodhet aktualisht në burgun e Pogradecit dhe është nën hetim për një sërë rastesh mashtrimi financiar. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për të bashkuar të gjitha kallzimet ekzistuese dhe të reja, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar.




