Rama nga Italia sot në Spanjë, takim me Sanchez dhe Antonio Costa-n

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të premte në Spanjë, ku do të marrë pjesë në Samitin “Në Mbrojtje të Demokracisë” që zhvillohet në Barcelonë, me ftesë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez.

Në fokus të samitit janë sfidat që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, rolin e multilaterizmit, si dhe ndikimi i teknologjisë dhe dezinformimit në shoqëritë moderne. Diskutimet pritet të adresojnë nevojën për rregullim më të fortë të hapësirës digjitale dhe forcimin e demokracive përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe reduktimit të pabarazive.

Gjatë qëndrimit në Barcelonë, Rama do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, përveç takimit me homologun spanjoll.

Vizita në Spanjë vjen pas ndalesës në Itali, ku kreu i qeverisë shqiptare u takua me kryeministren Giorgia Meloni. Në atë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike si mbrojtja, ndërlidhja dhe menaxhimi i emigracionit.

Takimi në Romë u zhvillua gjashtë muaj pas samitit ndërqeveritar mes dy vendeve, ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi në sektorë si siguria, shëndetësia, infrastruktura dhe mbrojtja.

Të Fundit