“Kush e kishte imagjinuar…askush!”, Rama: Eric Adams kërkon shtetësinë shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim në rrjetet sociale lidhur me një deklaratë të kryetarit të Bashkisë së New Yorkut, Eric Adams, për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Në mesazhin e tij, Rama e përshkruan si një zhvillim të papritur, duke theksuar se pak kush do ta kishte imagjinuar që një figurë e tillë ndërkombëtare do të shprehte dëshirën për të marrë pasaportën shqiptare.

Sipas tij, kjo kërkesë lidhet me marrëdhënien e afërt që Adams ka ndërtuar me komunitetin shqiptar në SHBA dhe me përshtypjet pozitive nga vizita e tij në Tirana.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Adams është shprehur i mahnitur nga transformimi i qytetit, duke e cilësuar Tiranën si një “Nju Jork të vogël”.

“Bota përmbys. Të ngrejë dorën kush e kishte imagjinuar ndonjëherë që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut do të kërkonte pasaportën shqiptare për t’u bërë edhe qytetar i Shqipërisë(?) Askush.

Si? Pse? Sepse Eric Adams është një mik i madh i komunitetit shqiptar të Nju Jorkut dhe kishte premtuar ta vizitonte Shqipërinë përpara mbylljes së mandatit. Kur erdhi në Shqipëri, i pëlqeu aq shumë Tirana sa tha: A mund të bëhem qytetar i këtij Nju Jorku të vogël që kurrë s’e imagjinoja kaq tërheqës?

Dhe kështu kryetari i bashkisë më të famshme të botës, u bë me ligj e me zakon një ambasador i Shqipërisë së rilindur”, ka shkruar kryeministri Rama.

Të Fundit