“Qeveria po bën punën e duhur”, Balla i përgjigjet akuzave të opozitës për naftën: Çmimi nuk varet nga ne, është krizë globale

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës së sotme plenarë i është përgjigjur akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të naftës në vend, duke theksuar se kjo është një fenomen i ndikuar nga tregjet ndërkombëtare dhe jo nga vendimet e qeverisë shqiptare.

Balla: Tani, zonja e zotërinj, dashur qytetarë shqiptarë, u tha këtu se nafta në Shqipëri vjen më shtrenjtë sesa në vende të tjera. Nafta është mall burse. Shqipëria sot blen në bursë. Kompania që e sjell në Shqipëri, British Petroleum është një ndër tre kolosët më të mëdhenj botërorë të naftës. Çdo ditë në mëngjes…

Sipas Ballës, rritja e çmimit të naftës lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet globale, pra sulmet e SHBA ndaj Iranit dhe bllokimin e ngushticës së Hormuzit, që ndikojnë drejtpërdrejt në bursën ndërkombëtare të naftës.

Balla: Zoti kryetar, ju lutem, se pastaj këta provokohen… Këta kur u kthen përgjigje edhe provokohen dhe nuk mbajnë. Por ta mbaroj. Ta mbaroj. British Petroleum që është furnizuesi kryesor i Shqipërisë sot, në çdo mëngjes shet me çmim burse. Dhe e paskemi fajin ne, tha zotëria, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar Iranin e për pasojë regjimi i Iranit ka bllokuar ngushticën Hormuzit e për pasojë ka ardhur rritja e çmimit në bursë të naftës. Po, e kemi mbështetur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe goditjen e regjimit të Iranit, përsëri ju kujtoj se është në turpin tuaj që keni munguar në Kuvendin e Shqipërisë në Deklaratën Ndëshkuese, dënuese të Kuvendit të Shqipërisë ndaj regjimit dhe Gardës Revolucionare të regjimit iranian. Por kjo s’ka asnjë lidhje me ato që sapo u thanë këtu.

Balla u ndal gjithashtu edhe te Bordi i Transparencës, një mekanizëm për menaxhimin e çmimeve.

Balla: Bordi i Transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe 4 vite më parë kur Rusia sulmoi Ukrainën, dhe padyshim që ka dhënë efektet e veta, por të gjitha këto ne do t’i diskutojmë kur të vijë diskutimi i këtij projektligji nga ana juaj. Ju mos u mërzisni që ne nismat tuaja ligjore i votojmë kundër, jo se nismat tuaja ligjore, ju thashë mund të ketë raste që ka dhe propozime që bëjnë sens. Por ne jemi të gatshëm dhe njëherë ne jemi të gatshëm edhe njëherë që nisma tuaja ligjore t’i diskutojmë, po jo me këtë variantin kështu siç ua thashë në fillim të seancës, por nëse doni ulemi t’i diskutojmë, padyshim që ne kemi nismat tona qeveria ka nismat e veta, qeveria po bën punën e duhur sa i takon adresimit të kësaj krize botërore të çmimit të naftës, dhe padyshim që në datë 30 a kur e kemi përcaktuar sipas asaj që kemi rënë dakord në kalendar, kemi rënë dakord në kalendar, do kemi dhe diskutim për këtë çështje edhe pozicionin zyrtar të qeverisë sa i përket këtij projektligji

Në fund, kreu i grupit parlamentar socialist u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të diskutojnë nismat e tyre ligjore në mënyrë konstruktive, duke respektuar konsensusin dhe rregulloren e Kuvendit, ndërsa vendi do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet e tregjeve globale për të menaxhuar çmimin e naftës dhe ndikimet e tij në ekonomi.

Të Fundit