Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në unazën lindore të Fierit ku drejtuesi i një automjeti, pasi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, në përpjekje për t’u larguar është përplasur me një mjet të parkuar.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit, 37-vjeçari B.M (banues në Roskovec), është dëmtuar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë, forcat zjarrfikëse dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e dinamikës së aksidentit, ndërsa drejtuesi i mjetit pritet të shoqërohet në komisariat.



