Rënia e lindjeve në Shqipëri po shndërrohet në një nga zhvillimet më shqetësuese demografike të viteve të fundit, duke reflektuar ndryshime të thella sociale dhe ekonomike.
Në rreth dhjetë vitet e fundit, numri i fëmijëve të lindur në vend është ulur me afro 35%, ndërsa shifrat vjetore janë afruar pranë nivelit prej rreth 20 mijë lindjesh, dukshëm më pak krahasuar me një dekadë më parë. Kjo rënie nuk lidhet vetëm me zgjedhje individuale për familje më të vogla, por me një tkurrje reale të popullsisë në moshë riprodhuese.
Emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve, sidomos i grupmoshave 20–39 vjeç, ka reduktuar ndjeshëm numrin e çifteve që mund të krijojnë familje në Shqipëri. Në shumë zona të vendit, largimi i të rinjve ka krijuar boshllëqe të dukshme demografike, duke ndikuar drejtpërdrejt në numrin e lindjeve. Paralelisht, kostot në rritje të jetesës, çmimet e larta të banesave, shpenzimet për rritjen e një fëmije dhe pasiguria në tregun e punës po ndikojnë në vendimet e çifteve për të shtyrë ose kufizuar lindjet.
Edhe kur dëshira për të pasur më shumë se një fëmijë ekziston, faktorët ekonomikë shpesh e bëjnë këtë vendim të vështirë. Demografët theksojnë se vendi po përballet me një “moment negativ demografik”, ku baza e re e popullsisë po zvogëlohet me ritme më të shpejta se popullsia në tërësi, duke përshpejtuar plakjen e shoqërisë.
Kjo situatë pritet të ketë pasoja afatgjata në tregun e punës, në sistemin e pensioneve dhe në strukturën ekonomike të vendit, pasi një popullsi më e vogël në moshë pune do të duhet të mbështesë një numër gjithnjë e më të madh të të moshuarve.
Nëse trendi aktual vijon, Shqipëria rrezikon të përballet me një tkurrje të mëtejshme të lindjeve në vitet në vijim, duke e kthyer çështjen demografike në një sfidë strategjike që kërkon politika konkrete për mbështetjen e familjeve të reja, krijimin e sigurisë ekonomike dhe frenimin e emigracionit të të rinjve.



