Pas vdekjes së nënës, dy vëllezër të sëmurë, mbetën pa asnjë përkujdesje dhe në kushte tepër të vështira jetese. Apeli për ndihmë mbërriti në redaksinë tonë nga Islam Lika, i cili kërkoi ndërhyrje urgjente për vëllezërit e tij: Pjerinin, që vuan nga probleme të shëndetit mendor, dhe Leonardin, i prekur nga një sëmundje e rëndë e lëkurës.Grupi ynë i xhirimit shkoi në Njësinë Administrative 7, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, ku konstatoi, se banesa e dy vëllezërve, ishte në gjendje të mjerueshme, pa kushte bazë ekonomike dhe higjeno-sanitare. Rasti u referua pranë Njësisë Administrative Nr. 7, ku Kryetari Edison Zanaj dhe përgjegjësja e shërbimit social, Irena Çuko, konfirmuan, se ishin në dijeni të situatës dhe kishin ndërhyrë pas ndarjes nga jeta të nënës, duke mbuluar shpenzimet funerale dhe duke i dërguar vëllezërit për analiza dhe vizita mjekësore.Sipas planit të ndërhyrjes, Pjerini do të sistemohet në një azil për trajtim të specializuar, ndërsa Leonardi do të marrë mjekimin e nevojshëm për sëmundjen e lëkurës dhe asistencë sociale. Gjithashtu, në bashkëpunim me “Stop”, u ndërmor pastrimi dhe sterilizimi i plotë i banesës, duke i dhënë zgjidhje një rasti të rëndë social dhe human.
A i pastrojnë paratë shqiptarët. Si e kuptojnë ata procesin e pastrimit të parave, një term, që përdoret shpesh, por që rezulton, se nuk kuptohet fare.Me kartmonedhë në dorë dhe një dezinfektues, kemi pyetur qytetarët, sesi i pastrojnë paratë dhe përgjigjet e tyre janë plot humor dhe batuta.
Në Laç, Bashkia Kurbin, banorët e pallatit nr. 110 po përballen me një situatë të paqartë pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Në vitin 2020 ata u njoftuan me shkresë zyrtare për largimin nga apartamentet, pasi objekti do të shembej. Për tre vite me radhë banorët u trajtuan me bonus qiraje.Më pas, ata u informuan, se pallati nuk ishte më pjesë e listës së objekteve, që do të prisheshin, duke i lënë në pasiguri për fatin e banesave të tyre. Gjatë verifikimit në terren u konstatua, se në disa hyrje ishin rikthyer banorët, ndërsa të tjera nuk ishin liruar asnjëherë, pavarësisht kërkesës për evakuim. Përveç dëmtimeve nga tërmeti, godina ka pësuar edhe amortizim, si pasojë e braktisjes.Lidhur me këtë çështje, Koordinatorja e Rindërtimit pranë Bashkisë Kurbin, Nertila Toma, bëri me dije, se aktualisht po pritet një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përcaktuar, nëse pallati do të rikonstruktohet, apo do të rindërtohet, pas përllogaritjes së kostove.




