Në vitin 1997, në Cërrik, Altin Elezi ndërtoi bashkë me bashkëshorten një biznes karburanti. Pas vdekjes së tij në vitin 2011, e veja pretendon, se dy kunetërit i përvetësuan biznesin, përmes një kontrate shitjeje aksionesh me firmë të falsifikuar.Rasti u denoncua në emisionin “Stop”, ku u organizua edhe një përballje mes palëve. Sipas investigimit, dokumentet janë hartuar pranë një notereje, por mungon firma e bashkëshortes, ndonëse biznesi ishte krijuar gjatë martesës e me kontributin e tyre të përbashkët.Një akt-ekspertim i kryer nga eksperti Vladimir Konomi ka dalë në përfundimin, se firma në dokumentet e kalimit të biznesit, nuk i përket Altin Elezit. Çështja mbetet në dorë të drejtësisë, ndërsa e veja kërkon rikthimin e pasurisë që, sipas saj, iu mor me dokumente të falsifikuara.
Një ngjarje e pazakontë ndodhi në Australi, ku një burrë australian hyri brenda në një pub, as më shumë e as më pak, sesa me kalin e tij.Një zonjë e ka filmuar momentin e pazakontë, duke treguar, sesi burri kaloi qetësisht përmes sallës dhe më pas doli jashtë.Videoja u bë menjëherë virale, duke habitur përdoruesit e rrjeteve sociale me absurditetin e situatës dhe natyrshmërinë e protagonistit të ngjarjes.
Në Lezhë, Shuaip Dani u drejtua në redaksinë tonë për një ankesë, që zgjaste prej tre vitesh. Ai kishte mbajtur me qira një objekt për shumë vite dhe, në mungesë të pronarit, që jetonte jashtë Shqipërisë, kishte lidhur kontratën e energjisë elektrike me OSHEE-në.Tre vite më parë e la ambientin dhe kërkoi të mbyllte kontratën, por iu kërkua dokument pronësie, që as pronari nuk e disponon. Ndërkohë, Shuaipi vazhdonte të paguante tarifën e shërbimit, pa e përdorur më objektin.Gazetarja e “Stop” u paraqit në zyrën e kujdesit ndaj klientit në Lezhë, ku i konfirmuan, se pa dokument pronësie, sistemi nuk lejon mbylljen e kontratës. Pas interesimit pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE-së, zëdhënësi për mediat, Ardian Kola, bëri me dije, se rasti do të verifikohej dhe do të merrte zgjidhje.Në fund, qytetari konfirmoi, se çështja e tij u zgjidh dhe falënderoi publikisht emisionin “Stop”.




