Sot, 2 mars, kujtohet një prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Bëhet fjalë për Besëlidhjen e Lezhës që u mblodh në vitin 1444 nga Skënderbeu. Në këtë kuvend, ai bëri bashkë princat shqiptarë kundër Perandorisë Osmane.
Këtë ditë e ka përkujtuar presidenti i vendit, Bajram Begaj, i cili në një postim në rrjetet sociale tha se Besëlidhja e Lezhës është një moment historik ku triumfoi bashkimi mbi përçarjen. Sipas tij, 582 vite më pas, ajo mbetet ende një standard sjelljeje politike dhe institucionale.
“Një kujtesë se forca jonë si komb nuk ka qëndruar vetëm në trimëri, por në bashkërendim, vizion dhe udhëheqje me përgjegjësi. Nën frymën e vizionit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, shqiptarët vepruan si një trup i vetëm dhe u bënë pjesë e historisë evropiane të qëndresës, dinjitetit dhe lirisë”, tha Begaj.
Ndërkohë me këtë rast në hyrje të Lezhës është realizuar një murale që i kushtohet 582-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Vepra është realizuar nga piktori Bledar Cakalli, i cili përmes kësaj muraleje synon të rikujtojë një nga ngjarjet më domethënëse të historisë kombëtare dhe të përcjellë një mesazh bashkimi për kohët e sotme.




