Universitetet në alarm: 40% e të diplomuarve punojnë jashtë profilit

Një reformë e vonuar në arsimin e lartë po synon të sjellë ndryshime në mënyrën e financimit për universitetet, rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin dhe fleksibilitetin e programeve. Aktualisht, rënia e numrit të studentëve dhe mospërputhja me tregun e punës e kanë kthyer sistemin në një “treg diplomash” pa ndikim real në ekonomi.

Me gjysmën e stafeve akademike që punojnë me kohë të pjesshme dhe 49% të universiteteve që dështojnë në kërkimin shkencor, ndryshimet mbeten të vështira. Vetëm 66% e të diplomuarve të rinj punësohen, ndërsa 40% e tyre ushtrojnë profesione jashtë profileve përkatëse. Ja sfidat e studimeve “low cost” në Shqipëri.

Universitetet po rezultojnë hallka më e dobët e sistemit arsimor në vend. Rënia e numrit të studentëve dhe rritja e fondeve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë, teksa hendeku ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimit po zgjerohet, në vend që të ngushtohet.

Tani kur teknologjia po formëson të gjithë aktivitetin jetësor kudo në botë, universitetet shqiptare nuk janë të gjendje të zhvillojnë bazat më të thjeshta të kërkimit as në nivel pedagogësh, teksa aftësitë digjitale të një pjese të stafit dhe studentëve mbeten të kufizuara.

Ndërmjet 2016-2024, numri i studentëve ka rënë me 13.5%, teksa në universitetet publike, rënia është dyfish më e fortë me 25% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Qeveria ka shpallur një reformë të re në fillim të këtij viti që synon të trajtojë problematikën në arsimin e lartë. Por reformat në arsim zakonisht shtyhen nga emergjencat e momentit, për shkak se nuk i japin rezultatet sot për nesër, por kanë koston më të lartë në zhvillimin afatgjatë.

Sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Arsimit për “Universitetin 2030” vihet një theks më i fortë në lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Për herë të parë, universitetet orientohen të profilizojnë ofertën akademike sipas nevojave reale të ekonomisë kombëtare dhe rajonale.

Sipas dokumentit të Ministrisë së Arsimit, një tjetër risi qendrore është zhvendosja e fokusit drejt kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të arsimit të lartë.

Një risi tjetër është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Kjo nënkupton që universitetet shqiptare duhet të funksionojnë gjithnjë e më shumë si pjesë e një hapësire akademike europiane.

Selami Xhepa, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se në kuadër të diskutimeve për reformimin e mëtejshëm të arsimit të lartë, kërkesa e UET është përqendruar veçanërisht te lehtësimi i burokracisë në hartimin dhe miratimin e programeve të studimit, një aspekt që pengon reagimin e shpejtë të universiteteve ndaj ndryshimeve të tregut të punës dhe kërkesave të studentëve.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rritjen e mobilitetit të studimeve, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që studentët të kenë më shumë mundësi për të ndjekur një pjesë të studimeve në institucione të tjera dhe për të përfituar nga përvoja akademike të ndryshme, tha ai.

Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë Tiranës janë të shqetësuar për efektet e reformës. Florian Bjanku, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, argumenton se reforma e arsimit të lartë po shkon drejt një centralizimi “de facto” në boshtin Tiranë–Durrës, duke lënë universitetet rajonale në nënkapacitet dhe duke krijuar pabarazi territoriale.

“Me financim minimal dhe pritshmëri maksimale, universitetet nuk arrijnë të lidhen realisht me tregun e punës dhe po shndërrohen në ‘treg diplomash’. Rasti i Shkodrës tregon humbjen e besimit të të rinjve. Pa ndryshuar modelin e financimit dhe trajtimin e barabartë të universiteteve, reforma rrezikon të formalizojë një dështim strukturor, jo ta zgjidhë atë”, – tha z. Binjaku.

Mirëpo çdo dokument për reformimin e arsimit të lartë dhe arsimit në tërësi mbetet i paragjykuar për aq kohë sa qeveria parashikon me ulje fondet për arsimin gjatë tre viteve në vijim.

Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa më 2025 pritet të arrijnë në 2.4% të PBB dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në buxhetin afatmesëm 2026-2028.

Kjo tregon se teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin. E njëjta praktikë po ndodh edhe me shëndetësinë. Fondet për arsimin ulen jo vetëm në raport me PBB-në, por edhe me shpenzimet totale buxhetore. Këtë vit buxheti i arsimit është sa 7.5% e totalit të buxhetit, teksa në 2028 nuk do të jetë më shumë se 7%. Teksa ekonomia zgjerohet, gjithnjë e më pak fonde ndahen për arsimin.

Financimet sipas meritës dhe profilizimit

Sipas dokumenteve fillestare të reformës për arsimin e lartë, financimi i universiteteve publike do të kalojë nga një sistem financimi linear në një model që shpërblen rezultatin.

Deri më sot, universitetet tona shpesh kanë garuar në një terren të paqartë, duke ofruar degë të ngjashme që prodhojnë të papunë me diploma. Formula aktuale e financimit të IAL-ve publike mbështetet kryesisht në numrin e studentëve, programet prioritare dhe të ardhurat që krijojnë IAL-të nga tarifat e shkollimit.

Të ardhurat që kanë arritur të grumbullojnë IAL-të publike luhaten nga 32.5% e vlerës së buxhetit të shtetit të caktuar për arsimin e lartë, siç u vërejt gjatë vitit akademik 2019-2020, e deri në 21.4% në vitin 2023.

Qasja e re propozon një ndryshim paradigme me investime direkte në profilizimin e universiteteve. Kjo do të thotë që financimi nuk do të shpërndahet njësoj, por do të shkojë drejt atyre institucioneve që guxojnë të identifikohen me nevoja specifike, sidomos ato të zhvillimit rajonal.

Nëse një universitet operon në një zonë me potencial turistik apo industrial, fondet shtetërore do të priren të mbështesin ato programe që furnizojnë drejtpërdrejt ekonominë rajonale.

Për të përfituar mbështetje, universitetet duhet të dëshmojnë sukses në tre fronte. Së pari, mësimdhënia akademike, pasi cilësia nuk do të matet me numrin e studentëve në sallë, por me kompetencën e tyre pas diplomimit.

Së dyti, kërkimi shkencor, ku investimet do të kushtëzohen nga inovacioni dhe zgjidhjet që shkenca ofron për problemet reale. Së treti, roli social dhe ekonomik, i cili mat aftësinë e universitetit për të dalë jashtë mureve të tij dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Cilësia problem, gjysma e pedagogëve part-time

Ndërkohë që flitet për ndërkombëtarizim dhe renditje në listat prestigjioze botërore, një raport i fundit i Bordit të Akreditimit të Arsimit të Lartë (2024) ka nxjerrë në dritë një të vërtetë të hidhur: universitetet tona po mbështeten masivisht mbi punën e stafit me kohë të pjesshme.

Pothuajse gjysma e stafit akademik në vend, 48%, janë të punësuar me kohë të pjesshme (part-time). Me gjysmën e trupës pedagogjike që nuk është e pranishme me kohë të plotë në auditorë, kërkimi shkencor mbetet në hije, pasi konsulta me studentët kthehet në një mision të pamundur. Ky model “part-time” sugjeron se universitetet po shërbejnë më shumë si stacione tranziti sesa si vatra të mirëfillta të dijes dhe kërkimit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë stafi, por për mungesë të kualifikimit të duhur. 39% e universiteteve kanë raportuar sfida serioze lidhur me formimin e vazhdueshëm të stafit. Ekziston një vakum i dukshëm në mbështetjen për studimet për grada dhe tituj akademikë.

Pa një trupë akademike që rritet profesionalisht, diplomat e studentëve rrezikojnë të mbeten letra pa vlerë në një treg pune që kërkon inovacion. Nuk mjafton më vetëm mbijetesa e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), por një politikë e guximshme që nxit stafin akademik të ndjekë gradat dhe titujt, duke u ofruar siguri financiare dhe stabilitet në punë.

49% e universiteteve, pa lidhje me kërkimin shkencor

Arsimi i lartë në Shqipëri po kalon nëpër një fazë ku dëshira për t’u integruar në hapësirën kërkimore europiane po pengohet nga muret e vjetra të një sistemi që ende funksionon në izolim.

Sipas gjetjeve më të fundit të Bordit të Akreditimit, panorama e kërkimit shkencor mbetet e mbyllur pothuajse tërësisht brenda mureve të universiteteve, duke dështuar të krijojë një urë komunikimi me motorët e ekonomisë: biznesin dhe institucionet publike.

Raporti i periudhës 2016-2023 tregon se rreth 49% e institucioneve të arsimit të lartë vuajnë nga probleme serioze sa u përket investimeve në shkencë dhe infrastrukturës kërkimore, duke dëshmuar se gjysma e universiteteve tona po tentojnë të prodhojnë dije pa pasur mjetet bazë për ta bërë këtë.

Hendeku reflektohet në numrin e ulët të patentave dhe në mungesën e një interesi të mirëfilltë nga industria për të financuar inovacionin akademik, një situatë që kërkon me urgjencë rishikim të thellë të legjislacionit fiskal që do të nxiste sipërmarrjen të kthente sytë nga laboratorët universitarë. Shqipëria gjendet gjithashtu përballë një vakumi të dhënash.

Edhe pse flitet për “Shkencën e Hapur” dhe harmonizimin me strategjitë europiane, realiteti tregon se jemi ende në hapat e parë.

Nevoja për një fond special që financon literaturën bazë në gjuhën shqipe dhe modernizimi i bibliotekave, të cilat sipas raportit të vitit 2024 kanë ende nevojë të madhe për përmirësim, mbetet sfida që do të përcaktojë nëse universitetet tona do të jenë qendra të vërteta të inovacionit apo thjesht transmetues të një dijeje të vjetruar.

Kosto vjetore për student kalon 1600 euro në vit, as sa gjysma e rajonit

Në shikim të parë, shifrat që vijnë nga bilancet e arsimit të lartë në Shqipëri flasin për një rritje ambicioze. Kostoja mesatare vjetore për një student, e cila në vitin 2023 ishte 151,354 lekë, pritet të shënojë rritje të ndjeshme deri në 162,000 lekë brenda vitit 2025.

Ky trend në rritje reflekton mbështetjen shtetërore për kërkimin shkencor dhe fondet e ekselencës, të cilat kanë shënuar rritje nga rreth 364 milionë lekë në vitin 2019, në mbi 908 milionë lekë në vitin 2023. Megjithatë, pas kësaj fasade shifrash optimiste, fshihet një rrezik që po gërryen universitetet jashtë kryeqytetit.

Me këto të dhëna, Shqipëria operon me një model ekstremisht “low-cost” të arsimit të lartë. Të dhënat e OECD-së tregojnë se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mbetet në fund të renditjes. Në Serbi dhe Mal të Zi, kostoja për student vlerësohet rreth 3,000–4,000 euro në vit, në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut rreth 2,500–3,500 euro, ndërsa në Kosovë rreth 2,000–2,500 euro.

Pra edhe vendet e rajonit, me sisteme dhe probleme të ngjashme, investojnë mesatarisht dyfish deri në trefish më shumë për student sesa Shqipëria.

Ndërsa një student europian ka pas vetes një investim publik që varion nga 6 deri në 10 herë më i lartë, një student shqiptar përfiton vetëm minimumin e nevojshëm për funksionim bazë.

Hendeku financiar e shpjegon pse universitetet shqiptare kanë më pak laboratorë, më pak kërkim shkencor, paga më të ulëta për pedagogët, më pak shërbime studentore dhe vështirësi për t’u integruar realisht në hapësirën akademike europiane.

Reforma e arsimit të lartë, megjithëse synonte autonominë dhe rritjen e cilësisë, po prodhon një efekt anësor të rrezikshëm. Përqendrimi i fondeve të ekselencës dhe programeve prioritare shpesh favorizon institucionet e mëdha qendrore, duke i lënë universitetet rajonale si ai i Shkodrës, Durrësit, Vlorës etj., në një lloj “vdekjeje klinike” akademike.

Ndërsa Tirana thith pjesën më të madhe të investimeve dhe projekteve prioritare, universitetet në rrethe po përballen me një rënie të numrit të studentëve dhe vështirësi në rritje për të justifikuar kostot operative që po shtrenjtohen çdo vit.

Lidhje e dobët me tregun e punës, 40% e diplomave jashtë profilit

Një nga dobësitë kryesore është shkëputja relative nga tregu i punës. Shumë programe studimi mbeten ende teorike dhe jo mjaftueshëm të përditësuara me nevojat reale të ekonomisë. Studentët shpesh diplomohen pa aftësi praktike të mjaftueshme dhe me pak përvojë pune, ndërsa praktikat profesionale janë të kufizuara, formale ose jo sistematike.

Si pasojë, tranzicioni nga universiteti në punësim është i vështirë dhe shpesh i zgjatur, duke prodhuar papunësi të diplomuarish ose punësim nën nivelin e kualifikimit.

Raporti më i fundit mbi “Trendet dhe zhvillimet në edukim, aftësi dhe punësim 2025” i Fondacionit Europian të Trajnimeve, tregon se Shqipëria regjistron një normë punësimi prej 66% për të diplomuarit e rinj.

Ky tregues është shumë më i ulët kur krahasohet me standardin e Bashkimit Europian, i cili ka një normë punësimi prej 82.4%.

Problemi më i mprehtë që evidenton raporti është mospërputhja e aftësive, pasi rreth 30% deri në 40% e të diplomuarve me arsim të lartë ushtrojnë profesione që nuk kanë lidhje me kualifikimet e tyre arsimore.

Ky fenomen dëshmon për një lidhje të dobët ndërmjet sistemit arsimor dhe tregut të punës, duke detyruar forcën e re të punës të pranojë pozicione që nuk shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, duke çuar në humbje të produktivitetit në rang kombëtar.

Përtej vështirësisë për të gjetur një punë në profesion, cilësia e vendeve të punës në Shqipëri mbetet një shqetësim madhor.

Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të punës në vend klasifikohen si “punësim i ndjeshëm” (vulnerable employment), një normë që është sa dyfishi ose trefishi i mesatares së BE-së. Kjo shpjegohet me investimet e ulëta publike në arsim, ku Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e BE-së prej 4.7%.

Mungesa e fondeve reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e nxënies, ku 73.9% e 15-vjeçarëve shqiptarë rezultojnë me mungesë të aftësive bazë në matematikë, duke krijuar një cikël vështirësish që nis që në shkollë dhe kulmon me vështirësitë në tregun e punës.

Dobësitë e arsimit të lartë në Shqipëri nuk janë vetëm çështje burimesh financiare, por lidhen me modelin e zhvillimit të sistem që është i orientuar më shumë drejt prodhimit të diplomave sesa drejt aftësive, dijes dhe inovacionit që i duhen realisht ekonomisë dhe shoqërisë.

Ndërkombëtarizimi, diplomë europiane në Tokë Shqiptare

Sektori i arsimit të lartë në Shqipëri shënoi një hap para me nisjen zyrtare të aktivitetit të Akademisë Amerikane e Teknologjisë në Tiranë (AATT) gjatë vjeshtës së kaluar.

Ky institucion, i cili nisi rrugëtimin e tij në vitin akademik 2025-2026, po vendos një standard të ri në edukimin teknologjik në vend duke ofruar programet prestigjioze të Rochester Institute of Technology. Për herë të parë, studentët shqiptarë kanë mundësinë të ndjekin studime që kulmojnë me një diplomë të akredituar direkt nga SHBA, e lëshuar pa asnjë dallim nga selia qendrore e RIT në New York.

Kampusi i ri i Akademisw Amerikane e Teknologjisë në Tiranë (AATT) po zhvillohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Institutin “Harry Fultz”, duke u fokusuar në dy fusha jetike për tregun e sotëm të punës: Teknologjinë e Informacionit dhe Inxhinierinë Elektrike.

Programet Bachelor of Science në “Computing and Information Technology” si dhe “Electrical Engineering Technology”, të cilat janë projektuar për të përgatitur një gjeneratë të re ekspertësh sipas metodologjive më të avancuara amerikane.

Ky projekt ambicioz është fryt i një partneriteti të gjerë dhe të mirë-koordinuar mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz”, RIT New York dhe RIT Kosovës. Një peshë të rëndësishme në jetësimin e kësaj nisme kanë pasur American-Albanian Educational Foundation (AAEF) dhe Albanian-American Development Foundation (AADF), të cilët në koordinim me autoritetet qeveritare shqiptare, kanë bërë të mundur që kjo ofertë akademike elitare të jetë e pranishme në kryeqytet.

Hapja e degës së Kolegjit të Europës në Tiranë, kampusi i UNED-it spanjoll në Gjirokastër, Universiteti Bujqësor që synon të transformohet sipas modelit të Vjenës (BOKU) dhe marrëveshjet me Universitetin Teknik të Stambollit janë disa sinjale të universiteteve tona drejt ndërkombëtarizimit.

Sipas shifrave zyrtare, programet në gjuhë të huaj pothuajse janë dyfishuar, duke shkuar 35 gjithsej, teksa 30 programe ofrojnë diploma të dyfishta ose të përbashkëta, kryesisht me partnerë italianë dhe francezë.

Por, ky mbetet një ndërkombëtarizim në sipërfaqe, që ende nuk ka prekur bërthamën e kërkimit shkencor. Serbia dhe Kroacia kanë një lidhje shumë më të fortë mes universitetit dhe industrisë (patentat), gjë që tek ne pothuajse nuk ekziston.

Burokraci e lartë me programet

Në një botë ku teknologjia dhe tregjet e punës ndryshojnë brenda një nate, universitetet shqiptare mbeten të mbërthyera në një burokraci kohore që duket se sfidon logjikën e kohës.

Ndërsa flasim për ndërkombëtarizim dhe diploma të përbashkëta me Vjenën apo Stambollin, rruga që duhet të përshkojë një program i ri studimi, nga ideja në departament deri te regjistrimi i studentit të parë është një maratonë burokratike që zgjat mesatarisht 12 deri në 18 muaj.

Reforma në arsimin e lartë synon edhe një fleksibilitet të hartimit dhe miratimit të programeve. Sot, hartimi i një programi të ri më shumë se sfidë akademike është betejë me procedurat.

Faza e parë nis me muaj të tërë hartimi kurrikulash dhe stivimi dokumentesh për personelin dhe infrastrukturën. Pasi kalon filtrat e brendshëm të Senatit, programi trajtohet në zyrat e Ministrisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për 6 deri në 9 muaj të tjerë vlerësimi.

Kur programi më në fund merr dritën e gjelbër për të hapur dyert, një pjesë e literaturës apo metodologjisë mund të jetë tashmë e vjetruar. Nëse një universitet kërkon të hapë sot një degë për Inteligjencën Artificiale, studenti i parë do të ulet në bankë vetëm në fund të vitit 2027.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës tha se duhet më shumë fleksibilitet në miratimin e programeve për t’iu përgjigjur nevojave të kohës.

Xhepa tha se Shqipëria ka nevojë për një procedurë të përshpejtuar për degët prioritare. Nuk mund të trajtohet me të njëjtën ngadalësi një degë teorike me një program në teknologji apo energji të rinovueshme, ku nevoja e tregut është emergjente.

Së dyti, izolimi akademik duhet të marrë fund. Programet e reja nuk mund të hartohen më vetëm nga profesorët brenda katër mureve. Nevojitet një model i ri ku biznesi dhe industria janë bashkautorë të kurrikulës.

Një diplomë duhet të jetë një “kontratë” punësimi që në zanafillë, e certifikuar nga bordet e ekspertëve të fushës.

Një tjetër pengesë është ngurtësia e programeve ekzistuese. Sot, ndryshimi i një lënde kërkon riakreditim, duke i mbajtur universitetet peng të programeve të betonizuara. Nevojitet fleksibilitet që lejon institucionet të përditësojnë deri në 30% të përmbajtjes së tyre në kohë reale, pa pasur nevojë për vulat e radhës në ministri./Marrë nga Monitor

Të Fundit