Në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, këngëtari i njohur Ardian Trebicka rrëfen një histori, që prej tre vitesh e ka lënë jashtë banesës së tij. Sipas tij, gjithçka nisi, kur Ines Jaho u ofrua të blinte apartamentin, që ai zotëron në katin e 10-të të pallatit. Me besimin, se marrëveshja e shitblerjes ishte vetëm çështje kohe, Trebicka e lejoi Jahon të hynte në banesë, për të kryer disa rregullime.Por marrëveshja nuk u finalizua kurrë. Kur erdhi momenti, për të firmosur kontratën te noteri, procesi u ndërpre dhe çështja përfundoi në gjykatë. Ines Jaho e paditi Ardian Trebickën, duke kërkuar kthimin e investimit të pretenduar dhe bllokimin e pronës, ndërkohë që ajo vijon të jetojë në apartament pa kontratë qiraje dhe pa kontratë shitblerjeje.Sipas Trebickës, gjatë këtyre tre viteve, ai ka pasur akses në banesën e tij vetëm dy herë, dhe vetëm në prani të një eksperteje vlerësuese. Ai pretendon, se shumat e investimit të kërkuara nga Jaho janë të fryra dhe pa fatura tatimore, duke theksuar, se ajo mban edhe funksionin e këshilltares së Ministrit të Financave. Ndërkohë, Trebicka thotë, se ka pësuar një dëm financiar prej të paktën 1000 euro në muaj, aq sa do të përfitonte, nëse apartamenti do të jepej me qira.Nga ana tjetër, Ines Jaho jep një version tjetër të ngjarjes. Në një komunikim telefonik, ajo deklaron, se ka qenë Ardian Trebicka ai, që ka nxjerrë pretekste për të mos firmosur kontratën e shitjes te noteri, duke i kërkuar madje edhe pagesë qiraje për një apartament, që ajo pretendon, se do ta blinte.
Gabriel Shei, një shqiptar vetëm 9 vjeç, jeton në Lion dhe po ndërton hap pas hapi udhëtimin e tij në futboll. I frymëzuar nga Cristiano Ronaldo, Gabrieli shquhet për disiplinën, shpejtësinë dhe pasionin në fushë, edhe pse është në një moshë shumë të vogël.Talenti i tij nuk ka kaluar pa u vënë re. Ai është pikasur nga një trajner, që ka punuar me Ronaldon, duke e kthyer ëndrrën e tij fëminore në një histori premtuese. Nga ana tjetër, për ata, që merren me sporte në Shqipëri, panorama është trishtuese, si rasti i terrenit sportiv, që sjellim në video.
Lidhur me apartamentin e këngëtarit Ardian Trebicka, mësojmë, se çështja është ndjekur në dy zyra noteriale. Noterja Peri Bodinaku pohon, se ka qenë Ines Jaho ajo, që nuk ka pranuar të firmosë kontratën. Ndërsa noterja tjetër, Dhimtra Qarri, ka njoftuar palët, se kontrata e shitjes nuk mund të realizohet për shkak, se prona ka një shënim ND, pasi nuk është rregulluar marrëdhënia truall-ndërtesë. Juristi Fatmir Lacej sqaron, se noteri nuk ka të drejtë të bllokojë procesin e shitblerjes, nëse palët janë dakord ta vijojnë atë.Megjithë Ines Jaho kërkon kthimin e investimit, duke argumentuar, se banesa ka ndryshuar ndjeshëm nga ndërhyrjet e kryera dhe se pronari, sipas saj, ka ndryshuar mendim, për ta shitur apartamentin prej më shumë se dy vitesh. Për humbjen e qirasë dhe dëmin financiar të Trebickës, ajo deklaron, se nuk ka asnjë detyrim dhe refuzon të japë përgjigje të mëtejshme.Avokati Klaudi Zholi e cilëson situatën të paligjshme, duke theksuar, se zaptimi i një prone pa titull pronësie apo kontratë është në kundërshtim me Kodin Civil. Sipas tij, vakumi ligjor i detyron pronarët t’u drejtohen gjykatave, ndërkohë që në këto kushte është e ligjshme dhe moralisht e justifikuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike dhe ujit, për sa kohë prona mbahet nga një person tjetër, pa të drejtë ligjore.




