Këtë të martë, me rastin e Ditës së Kujtesës për viktimat e Holokaustit, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh ku thekson rëndësinë e angazhimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të mbrojtjen e dinjitetit.
“Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes etnike, racore, fetare dhe të antisemitizmit,” theksoi Begaj.
Në mesazh, Begaj vlerëson tolerancën dhe humanizmin e shqiptarëve në mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve përgjatë të errëta të nazizmit.
Mesazhi i plotë i Bajram Begaj në rrjetin social X:
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit përkujtojmë jetët e pafajshme të humbura në një prej makinerive më të tmerrshme kriminale kundër njerëzimit.g
Kjo ditë sjell në vëmendje humanizmin, guximin dhe shpirtin solidar të popullit shqiptar, që gjatë Luftës së Dytë Botërore mikpriti në besë dhe mbrojti me dinjitet të gjithë hebrenjtë që u strehuan në vendin tonë për t’i shpëtuar shfarosjes naziste.
Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes etnike, racore, fetare dhe të antisemitizmit”.




