Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi është vënë në ndjekje kur po transportonte me makinë 6 emigrantëve nga Egjipti, të cilët dyshohet se do ti kalonte ilegalisht fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtetet e BE-së, kundrejt pagesës.
Policia njofton se aksioni erdhi pas një muaji hetimesh me metoda speciale, ku u organizua operacioni “Relay 3” në rrugën e vjetër të Rinasit, ku u vu në pranga 31-vjeçari K.G., banues në Kukës pasi në automjetin që po drejtonte ndodheshin 6 emigrantë nga Egjipti. Policia ka sekuestruar si prova materiale automjetin me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 2 celularë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



