Kevi, një shtetas shqiptar, që jeton në Itali, tregon për problemin me të cilin është përballur pas kryerjes së martesës në Shqipëri. Prej katër muajsh, ai ka hasur vështirësi në njohjen e martesës nga autoritetet italiane, pasi komuna në Itali, nuk i ka pranuar certifikatën e martesës të shkarkuar nga e-Albania, e pajisur me vulë elektronike.Sipas Kevit, autoritetet italiane kanë argumentuar, se dokumenti me vulë elektronike nuk konsiderohet dokument zyrtar origjinal dhe kanë kërkuar domosdoshmërisht certifikatën me firmë dhe vulë të njomë.Situata ndryshoi, pasi Kevi i bëri me dije zyrtarit italian, se çështjen do ta bënte publike në Shqipëri dhe i tregoi komunikimin me gazetarin e “Stop”.Si Kevi janë dhjetëra shtetas shqiptarë në Itali, që kërkojnë njohjen e martesave të kryera në Shqipëri dhe përballen me të njëjtin problem.Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile konfirmon, se për këto raste lëshohen certifikata me vulë të njomë. Sipas institucionit, punonjësi i gjendjes civile, duhet të referojë problematikën në Drejtorinë e Përgjithshme, e cila më pas jep konfirmimin për lëshimin e certifikatës së martesës me firmë dhe vulë të njomë.




