Në qytetin e Korçës, prej më shumë se një dekade, qytetarja Zamira Kulla ka një vendim gjykate në dorë, por jo një zgjidhje. Në vitin 2013, Zamira bie pre e një skeme mashtrimi, pasi qytetari Andi Janko dhe përmbaruesi privat Andrea Katundi, i premtuan banesë sociale nga bashkia e Korcës, duke i marrë 10 milionë lekë. Paratë u transferuan përmes bankës, në emër të përmbaruesit Andrea Katundi, por premtimi për banesën sociale nuk u mbajt kurrë. Kur Zamira Kulla kuptoi, se kishte rënë viktimë e mashtrimit, vendosi t’i drejtohej Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Gjykata e pranoi padinë dhe i shpalli fajtorë si Andi Jankon, ashtu edhe përmbaruesin Andrea Katundi, duke e shpallur këtë të fundit debitor për shumën e marrë nga zonja.Edhe Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e bërë atë të formës së prerë. Në këto kushte cështja iu përcoll Zyrës Përmbarimore Shtetërore Korçë, ku përmbaruesja Enkeleda Aliçkolli Kota u ngarkua me ekzekutimin e vendimit.Megjithatë, pas më shumë se 10 vitesh, vendimi nuk është zbatuar. Pengesa kryesore lidhet me faktin, se Andrea Katundi ka marrë kredi bankare dhe ka lënë banesën e tij nën sekuestro bankare. Zyra Përmbarimore ka sekuestruar një banesë në bashkëpronësi me bashkëshorten e Katundit, por procesi ka ngecur. Përmbaruesja e çështjes, Enkeleda Aliçkolli Kota, sqaroi, se për të vijuar më tej, qytetarja Zamira Kulla duhet të hapë një proces tjetër gjyqësor për pjesëtimin e pasurisë, me qëllim përfitimin e pjesës takuese të debitorit Andrea Katundi. Sipas saj, ky proces do të mbulohet nga Zyra Përmbarimore dhe do të hapë rrugën për ekzekutimin përfundimtar të vendimit.




