STOP-EMISIONI 75(Sezoni 11) 22 Dhjetor 2025-Jep 450 euro e pret aparatin e gojes, emigranti mashtrohet nga dentisti.

Xhilda Grëmi, nënë e dy fëmijëve, një djali 12-vjeçar dhe vajze 5-vjeçare, rrëfen, se pas 13 vitesh martesë, është ndarë nga bashkëshorti për shkak të dhunës së përsëritur, që kulmoi dhe rrahjen në sy të fëmijëve në Greqi. Ajo bëri denoncim, mori urdhër mbrojtjeje, u strehua në qendrën e grave të dhunuara dhe më pas u kthye në Shqipëri, pas një marrëveshjeje, që burri të hiqte dorë nga alkooli.Por, sipas Xhildës, dhuna dhe kërcënimet vazhduan edhe në Fier. Burri sërish e ofendoi dhe e kërcënoi para fëmijëve, duke shkaktuar një tjetër urdhër mbrojtjeje. Situata u rëndua, kur ai filloi të ndikonte tek djali, derisa e largoi nga nëna. Më vonë, babai mori vajzën me pretekstin, se do ta çonte në pishina dhe nuk e ktheu më. Prej disa muajsh, Xhilda nuk ka as komunikim telefonik me fëmijët. Në shkollë, gjyshërit kanë firmosur një deklaratë, që djali të mos takohet me nënën, gjë, që e pohon edhe mësuesja kujdestare.

Në prag të festave të fundvitit ka nisur të funksionojë edhe tregu i gjelave të detit. Ne ishim atje, mes atmosferës së tregtarëve, që ankohen për cmimin e ulët të shpendit dhe qytetarëve, që ngrenë zërin për të kundërtën, se cmimet janë rritur dhe mezi ia dalin të blejnë simbolin e tryezës festive.

Në zonën turistike të Malit të Robit, italiani Ferrucio Bartolosi ka blerë një duplex prej 113 m², nga të cilat, 95.9 m² rezultojnë sipërfaqe neto të shfrytëzueshme dhe 17.1 m² hapësirë e përbashkët. Megjithatë, sipas Ferrucios, rreth 22 m² mungojnë realisht brenda apartamentit, duke u kthyer në hapësira bosh. Për këtë banesë dhe një vend parkimi, ai ka paguar 120 mijë euro. Problemin e ka zbuluar, kur nisi të planifikonte arredimin dhe vuri re, se realiteti nuk përputhej me sipërfaqen e deklaruar.Ekspertja imobiliare Hirushe Xhelaj sqaron, se kubatura e godinës rezulton e rregullt dhe apartamenti duhet të ofrojë sipërfaqen e plotë të shfrytëzueshme në katin përdhe dhe katin e parë të duplexit.Në kontaktet e para, ndërtuesi Rahim Dulla është shprehur i gatshëm të gjejë një zgjidhje, duke premtuar zgjerimin e hapësirës së katit të parë, që aktualisht është bosh. Sipas tij, planimetria ekzistuese i parashikon këto hapësira, por mund të bëhen ndërhyrje, për t’i kthyer në sipërfaqe të përdorshme. Ai ka deklaruar, se do të konsultohej me përfaqësuesin e pronarëve, dhe brenda 10 ditësh do të dërgonte punëtorët për të realizuar zgjerimin.

Të Fundit