Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion për goditjen e raste të krimeve kundër mjedisit ku pas kontrolleve dhe verifikimeve intensive me qëllim parandalimin e ndotjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik janë proceduar penalisht 15 administratore lavazhesh, të cilët shkarkonin ujëra të toksikuar në rrugë.
Aktivitetet e këtyre subjekteve janë bllokuar dhe janë sekuestruar mjetet dhe materialet e përdorura për pastrimin e automjeteve.
“Gjatë verifikimeve të kryera me objektiv parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër mjedisit, që gjithashtu rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 konstatuan se 15 lavazhe në territorin në juridiksion të këtij komisariati keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike.
Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 administratorët e këtyre subjekteve, konkretisht shtetasit: G. C., S. P., P. K., A. T., N. S., A. M., A. D., S. F., Sh. R., A. D., M. H., B. Sh. K. Xh., O. H dhe A. Xh., për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë iu kanë dërguar shkresa institucioneve kompetente, për marrjen e masave administrative të nevojshme”, njofton policia.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar një administrator të një ndërtimi në zonën “Don Bosko”, i cili vazhdonte punimet pa leje, pavarësisht se ishte proceduar më parë për të njëjtën vepër.
“Gjatë patrullimeve me këtë fokus, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë konstatuar se vazhdonin punime për ndërtimin e një objekti (për biznes) në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë, për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, admnistratori i aktivitetit, shtetasi B. Ll., 24 vjeç, i cili ishte proceduar më parë, për të njëjtën vepër dhe për të njëjtin rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.




