Policia e Durrësit vijon operacionet për goditjen e prostitucionit, ku së fundmi ka arrestuar dy shtetase kolumbiane në Shkëmbin e Kavajës, ndërsa ka proceduar klientin shqiptar, në kuadër të fazës së 11-të të operacionit “STORM”.
Sipas policisë, dy kolumbianet kishin marrë një apartament me qira në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe e shfrytëzonin për prostitucion, ndërsa akuzohen për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
“Në kuadër të kësaj faze të operacionit ‘Storm’, u arrestuan shtetaset L. S., 26 vjeçe, dhe M. P., 26 vjeçe, të dyja banuese në Kolumbi. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., 22 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale ‘Prostitucion’. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në lekë dhe valutë, 3 aparate celularë, një bllok shënimesh dhe disa karta SIM. Nga veprimet hetimore të kryera për nevoja të këtij procedimi rezultoi se këto shtetase kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit”, njofton policia.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.




