Tentoi të vriste bashkëshorten duke e plagosur rëndë me shkop, pranga 76-vjeçarit

Policia e Durrësit ka arrestuar një 76-vjeçar i cili tentoi të vriste bashkëshorten duke e plagosur rëndë me një shkopi druri.

Pas marrjes së njoftimit për një rast dhune në familje në lagjen nr. 17, efektivët e policisë së qytetit bregdetar vunë në pranga shtetasin A. R., 76 vjeç, autorin e dyshuar të ngjarjes.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me send të fortë (shkop druri) në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën. Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore”, bëri me dije policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të Fundit