Ministrja Koçiu inspekton Farkën: 4.500 m² ndërtime pa leje të konstatuara

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u rikthye sot në Farkë, në zonën ku prej tre javësh po vijon operacioni i gjerë i verifikimit të lejeve të ndërtimit dhe standardeve të sigurisë. Ajo deklaroi se bëhet fjalë për një proces të strukturuar dhe afatgjatë, i cili po jep një panoramë të qartë të situatës ndërtimore në territor.

Sipas të dhënave të deritanishme, janë inspektuar 26 komplekse rezidenciale, me 581 vila dhe godina kolektive. Kontrolli ka evidentuar rreth 4.500 m² shtesa pa leje, ku gjysma e sipërfaqes është prishur menjëherë nga vetë ndërtuesit, ndërsa pjesa tjetër po vlerësohet për procedurën e konfiskimit për interes publik.

Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e kuadrit të ri ligjor që synon ngritjen e standardeve dhe ndalimin e përfitimeve të paligjshme.

“Për çdo objekt ku zbulohet tejkalim i lejes ndërtimore, ai konfiskohet për interes publik ose për strehim social, ose prishen të gjitha ndërtimet e kryera,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se ky mekanizëm shmang shpërblimin e abuzimeve.

Për shkeljet e konstatuara deri tani janë vendosur 247 milionë lekë gjoba, rreth 2.5 milionë euro.

Koçiu riktheksoi se qëllimi i operacionit nuk është ndëshkimi i industrisë së ndërtimit, por rritja e standardeve dhe mbrojtja e qytetarëve.

“Ky operacion nuk synon të ndëshkojë industrinë e ndërtimit, por të sigurojë që ata që zbatojnë ligjin të mos konkurrohen padrejtësisht,” u shpreh ministrja, duke i cilësuar ndërtuesit korrektë si aleatë të këtij procesi.

Operacioni, sipas saj, do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Ky proces nuk do të zgjasë tre javë, as deri në fund të sezonit. Do të vazhdojë derisa rregulli, standardi dhe përgjegjësia të jenë norma e vetme në territor,” deklaroi Koçiu.

Në përmbyllje, ministrja tha se vendosmëria për transparencë dhe rregull në sektorin e ndërtimit është tashmë standard i përditshëm i punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Të Fundit