Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ankimimin e vendimit të GJKKO-së në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e zv.ministres dhe ministres Balluku.
Rama thotë se këtë vendim e ka ankimuar ai vetë si kryeministër, jo si person fizik, dhe jo për një individ të caktuar, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes së një pushteti tjetër në përbërjen e pavarur të pushtetit ekzekutiv.
Ai e cilësoi këtë si një betejë institucionale dhe gjyqësore për të mos lejuar atë që, sipas tij Komisioni i Venecias e konisderon shkelje të palejueshme të kufirit ndarës mes pushteteve.
Rama thotë se nuk po ushtron presion dhe se pezullimi i një ministri nga një prokuror ose gjyqtar do të legjitimohej si kompetencë e drejtësisë, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm.
“Presion ndaj gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen: a e dini kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë, si kryeministër, dhe jo për një individ, një ministre që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur dhe mosmarrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror apo gjykatës. Pra, unë jam palë dhe flas si palë; nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve të pavarura në vend, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, si edhe për të drejtën ekskluzive të Parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie. Kjo është një betejë institucionale gjyqësore, për atë që nga Komisioni i Venecias quhet shkelje e kufijve ndarës të pushteteve. Unë jam palë dhe nuk i bëj presion askujt. Flas për balancën e pushteteve të pavarura në Shqipëri. Pezullimi do të krijonte një precedent të rrezikshëm, real dhe kërcënues. Të pezullosh një ministër do të thotë ta asgjësosh pa afat. Nëse ministri pezullohet, zv.ministri nuk mund të ushtrojë autoritetin ekzekutiv që Kushtetuta ia jep vetëm ministrit. As nuk dua t’i hyj dokrrave dhe teorive konspirative për betejën ligjore. Këtu nuk është fjala për Belinda Ballukun, por për mbrojtjen e kufijve kushtetues të pushteteve”, shkruan Rama.
“Rreziqet më të mëdha për lirinë vijnë nga njerëzit e zellshëm e qëllimmirë, që nuk kuptojnë atë që bëjnë.” — Louis Brandeis, anëtar legjendar i Gjykatës Supreme të Amerikës (1916–1939), shkruan Rama.



