La në fuqi pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, zbardhet vendimi i GJKKO për Belinda Ballukun

Trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi dy masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë.

Balluku u paraqit në GJKKO rreth orës 09:00 të së shtunës, ku qëndroi për rreth 45 minuta. Seanca u ndërpre për 2 orë pasi mbrojtja kërkoi kohë të njihet me dosjen.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK më datë 31 tetor komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Një ditë më parë qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj kundër vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Ballukun.

Vendimi i qeverisë u lajmërua më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi cenim të ekzekutivit vendimin e Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.

“S’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe gjykatës të pezullojnë nga detyra një anëtare qeverie, por, nëse një prokuror special dhe gjykatës i shkallës së parë speciale kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i funksionimit të pushtetit tjetër të pavarur duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe Parlamentit, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë. Për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit”, tha Rama.

Vendimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 21.11.2025, paraqiti në Gjykatë kërkesën me objekt:

“Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2021, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.”

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, si dhe masës “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (si Zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025.

Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, të caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025.

Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, të caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025.

Gjykata urdhëron gjithashtu saktësimin e adresës së zbatimit të masës “Arrest në shtëpi” për të pandehurin Erald Elezi, duke i ndaluar largimin nga banesa e tij që ndodhet në qytetin ****, me adresë: ****.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore ngarkohen me zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve nga njoftimi i tij.

Të Fundit