Një 43-vjeçar është vënë pranga nga policia në Lezhë. Arrestimi i tij ka ardhur pasi u kap me lëndë narkotike në shëtitoren e qytetit. Policia gjithashtu thekson se i arrestuari kishte marrë me qira një lokal me qëllim shitjen, përpunimin dhe fshehjen e drogës në ambientet e saj.
Ai ka tentuar të largohet dhe ka hedhur çantë me drogë në lumin Drin. Policia gjatë kontrollit në lokal gjeti dhe një çantë tjetër ku brenda kishte qindra doza me lëndë narkotike gati për shitje.
“DVP Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitorja”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike. Kapet në flagrancë në shëtitore dhe vihet në pranga 43-vjeçari që kishte përshtatur lokalin e marrë me qira, për përdorim të drogës, përpunim e fshehje të saj, me qëllim shitjen në qytetin e Lezhës.
43-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi çantën në lumin Drin, por u kap gjatë ndjekjes nga Policia. Gjatë kontrollit në çantën që u gjet në lumë, Policia i gjeti doza me lëndë narkotike kanabis. Në vijim të operacionit, Policia gjeti dhe një çantë tjetër të fshehur në lokalin e marrë me qira nga 43-vjeçari, ku brenda saj kishte qindra doza me lëndë narkotike, gati për shitje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shëtitorja”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., alias K. Sh., 43 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me biçikletë dhe ka hedhur çantën e dorës në lumin Drin. Pas disa minutash kërkime, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e çantës dhe kapjen e 43-vjeçarit.
Gjatë kontrollit të çantës së dorës, Policia gjeti doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të gatshme për shitje. Në vijim të operacionit, Policia gjeti edhe një çantë tjetër, të fshehur nga ky shtetas në lokalin e marrë me qira, ku brenda saj kishte qindra doza me lëndë narkotike kanabis, gati për shitje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.



