Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar dy efektivë policie pas atentatit të së martës në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilamndo Dani dhe u plagos punonjësi i AMP-së, 40-vjeçari Muçi Shaljani (Sheqeri).
Policët e ndaluar janë Bruno Cara me detyrë specialist për hetimin e krimeve dhe Arshim Zjami me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin nr. 3, Tiranë, të cilët akuzohen për shkelje të procedurave ligjore në procesin e punësimit të Muci Shaljanit në AMP.
Të dy janë ndaluar pasi dyshohet se kanë ndikuar në punësimin e Muçi Shaljanit në AMP, duke përpiluar dokumente në kundërshtim me ligjin ndërsa akuzohen për veprat penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas hetimeve të para, ata kanë hartuar Vërtetimin e Besueshmërisë për Shaljanin pa pasqyruar të dhënat që cënonin kushtet e sigurisë, duke shkelur dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
“Nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M. Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore,” njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në përfundim të verifikimeve, AMP ka referuar rastin në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të procedurave të rekrutimit dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.
Njoftimi për ndalimin e dy efektivëve vjen pasi Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, urdhëroi pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast”, njofton AMP.



